“Ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish, duhet të jenë të qetë sepse me kalimin e aktit normative do të shpërblehen qindarkë për qindarkë!”- kështu e nisi fjalën e tij sot, 4 tetor, kryeministri Edi Rama, në aktivitetin me tre ministrat, Pirro Vengu, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, lidhur me transformimin e Forcave Zjarrfikëse.
Ligj i ri për sigurimin e banesave
“Do të ketë një ligj të ri që do t’i detyrojë bizneset dhe qytetarët të sigurojnë banesat për raste fatkeqësish”, paralajmëroi kreu i qeverisë
“Ka ardhur koha t’u bashkohemi të gjitha vendeve në Evropë duke u dhënë mundësi të gjithëve që për një kontribut modest, të mund të jenë të siguruar nga fatkeqësitë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, sepse siç e dini tek shtëpitë nuk i kemi lënë askujt asgjë mangut, por është fjala për sipërmarrjet, njësitë e biznesit të cilat duhet të sigurohen edhe nga përmbytjet pasi koha në të cilën jetojmë, është kohë ku ndryshimet e klimës po sjellin gjithmonë e më shumë pranë pragut të shtëpisë sfidat e mëdha të emergjencave civile ku janë përmbytjet dhe zjarret”, shtoi Rama.
Tha se ky shërbim mbetet prioritet i punës së Ministrisë së Brendshme, duke theksuar se ata do të kenë një rritje të vazhdueshme të pagës, njësoj si ata të Forcave të Armatosura.
“Dua të nënvizoj që siç e kam thënë edhe më parë, por edhe e kam shpjeguar në përcaktimin e prioriteteve të ministrisë së Brendshme, zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Do të thotë që ndër të tjera, zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të FA, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipsërinë 2030, ne të kemi një forcë të armatosur të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s.”
Nënvizoi ashtu si ministrja e Brendshme faktin se nevojitet rritje e kapaciteteve njerëzore, për një performancë më të mirë në territor.
“Sot nuk kemi më borxhe për të larë të së shkuarës së mallkuar dhe ekonomia ka një rritje të ndjeshme”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se ky vit ka qenë më i vështiri për Shqipërinë me situatën e zjarreve.
Nuk la pa përmendur “shtrëngimin e ri” në Kodin Penal për zjarrvënësit apo reformën me Prefekturat.
Akademia e Forcave Ajrore shumë shpejt në Vlorë
Një element tjetër ku u ndal ishte teknologjia që do të integrohet në shërbimet e emergjencës.
“Do të vazhdojmë të fuqizojmë flotën tonë, së shpejti do të hapet edhe fizikisht, sepse është çelur si proces, Akademia e Forcave Ajrore dhe do të fillojë në Vlorë edhe përgatitja e pilotëve të rinj, ashtu sikundër do rriten kapacitetet e flotës këtu të helikopterëve”, njoftoi Rama.
“Do të shtojmë në mënyrë të ndjeshme flotën e dronëve. Kemi përgatitur dhe jemi duke u marrë përditë me porositjen e dronëve me kamera termike për të monitoruar në kohë reale pyjet dhe për të kapur sa më shpejt sinjalin e zjarrit. Po vlerësojmë edhe porositë për dronët që bëjnë mbjellje, për ripërtëritjen e territoreve që janë djegur nga zjarret dhe nuk harroj këtu avionët zjarrfikës, hap pas hapi.”
Aty ku digjet, nuk ndërtohet për 30 vite!
Numri një i kabinetit qeveritar e bëri të qartë se “nëse një territor i pyllëzuar digjet, për 30 vite aty nuk do lejohen ndërtime”.
“Kemi bërë një ndërhyrje ligjore të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vite. Nëse një territor që hap oreks për të ndërtuar digjet, për 30 vite aty nuk jepet leje ndërtimi. Që ta kenë të qartë të gjithë që djegia nuk të sjell në kushtet që mund të thuash që aty nuk ka pyll dhe mund të ndërtosh. 30 vite do ndalohet ndërtimi dhe ai territor do të mbillet më pas me dronë“, tha Rama.
Tha se ka nisur puna për sistemet e hershme të alarmit duke krijuar qendra të integruara për reagim të shpejtë me mjete tokësore.
“Më mirë se në çdo sezon tjetër, edhe pse më i vështiri, ka identifikuar dhe ka arrestuar psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre”, u shpreh ai duke falenderuar forcat e Policisë së Shtetit.
“Do bëjmë çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më mirë!” – përfundoi kryeministri i vendit.