Që në nisje të seancës plenare, ka pasur kundërshti nga ana e opozitës. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ky i fundit kërkoi pezullimin e seancës, pasi nuk plotësohet kuorumi.
“Keni nisur seancën në kundërshtim me rregulloren, në sallë nuk ka as 55 deputetë. Pa kuorum nuk funksionon. Mos mendoni se kështu nuk sheh kush dhe siç keni bërë zgjedhjet, doni të bëni seancat”, tha Noka.
Të njëjtën gjë pretendoi edhe Gazment Bardhi.
“Po nuk pate 70 deputete, nuk miraton dot gjë! Mblidh deputetët, ndërprit seancën. Mos t’i hyjmë një rruge që nuk bën sens politik“, tha Bardhi drejtuar kryetares së Kuvendit.
“Unë nuk detyroj askënd, por mund të lexoj nenin e rregullores, nenin e edukatës”, u përgjigj Spiropali.
“Nëse doni të kapeni pas kësaj fije kashte, kjo është çështje juaj”, shtoi ajo.
Teksa ironizoi koalicionin opozitar Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ministri Taulant Balla, bëri një “kërkesë” për Sali Berishën.
“Merreni mo mbylleni në shtëpi se turpëroi edhe familjen e vet!
Në fjalën e tij në Parlament, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i cilësoi zgjedhjet e 11 majit asgjë tjetër veçse një farsë elektorale.
“Sot nuk ngrihem në këtë foltore për të komentuar një rezultat, por për të denoncuar një farsë. Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira, as të ndershme, as përfaqësuese. Një teatër pushteti, PS, partia-shtet, qeveria-shtet, kryeministri-shtet, organizuan një proces të mbyllur ku çdo element ishte i komanduar politikisht”, tha ai
Në fjalën e tij në Kuvend, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, vijoi me akuzat e tij në drejtim të mazhorancës.
Tha se demokracia në Shqipëria është e gjymtuar, në sytë e ndërkombëtarëve.
“Shqipëria edhe para faktorit ndërkombëtar është gjymtuar totalisht nga etja e sulltanit tuaj, por edhe e juaja, është gjymtuar demokracia. Asaj i qëndron tashmë veç fasada, ajo fasadë që sulltani juaj e ka merak. Themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë mbi votën e blerë, të shantazhuar e tjetërsuar! Ju bletë votat me para cash e me tufa kartash. Ja kemi çuar Skapit tuaj, por siç fle në dosjet tuaja, fle edhe mbi ato karta”, deklaroi Noka.