Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Adnan Xholi, priti një delegacion të lartë nga Gjermania, të udhëhequr nga Sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe kryetare e Fondacionit për Bashkëpunim Juridik (IRZ), Annette Kramme.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, si dhe prokurorët e SPAK Alfred Shehu, Bledar Maksuti, Ened Nakuçi dhe Ols Dado.
Annette Kramme vlerësoi punën e SPAK dhe besimin që ky institucion ka tek publiku, duke theksuar rolin e rëndësishëm të tij në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe gjermane, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe hetimeve paralele në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mashtrimeve kompjuterike. Po ashtu u shqyrtuan mundësitë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Delegacioni gjerman garantoi mbështetjen e vazhdueshme për punën dhe misionin e SPAK, duke theksuar angazhimin e përbashkët për rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
