Gjekmarkaj1

Konferenca e Kryetarëve e zhvilluar sot në parlament u shoqërua me tone të ashpra dhe me akuza nga ana e opozitës në drejtim të mazhorancës socialiste.

Deputetët opozitarë kanë akuzuar mazhorancën, se po tenton që të asgjësojë praninë e opozitës në Kuvend.

Më i zëshmi ndër ta ka qenë deputetin i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj. Ai është shprehur për mediat se socialistët kanë kaluar në “revansh politik” dhe se “synimi është të asgjësohet opozita”.

Deputeti demokrat ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke e krahasuar me një “atentator politik”, duke akuzuar mazhorancën se po vepron me qëllim për të përjashtuar opozitën nga çdo proces parlamentar. Sipas tij, shumica qeverisëse po mbyll çdo kanal komunikimi dhe bashkëpunimi në mënyrë të qëllimshme.

“Na përjashtuat nga procesi i integrimit që në seancën e parë. Në të dytën, provokuat, duke mos dashur të paraqisni qeverinë. Keni zhdukur parlamentarizmin,” deklaroi Gjekmarkaj, duke e cilësuar këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rolit të opozitës.

Ai kërkoi që seanca të përsëritet dhe që të thirret me urgjencë Këshilli i Legjislacionit, duke paralajmëruar se opozita do të ndërmarrë hapa institucionalë për mocionin e shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Gjekmarkaj përdori edhe ironi ndaj qeverisë. “Ju nesër mund të sillni Qenin Rex dhe ta paraqisni si Ministër të Brendshëm, që të lehë për 10 minuta. Ky është serioziteti që ju keni për Kuvendin”.

Gjatë ditës së sotme, teksa opozita ka paralajmëruar kërkesën për shkarkimin e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi thirri krerët e grupeve parlamentare lidhur me plotësimin e komisioneve. Vendimi për të kompletuar strukturën e re të komisioneve në Kuvend pritet të shkaktojë tensione me Partinë Demokratike, e cila nuk e njeh këtë organizim. Edhe pse PD ka zgjedhur kryetarët e komisioneve, nuk i ka depozituar zyrtarisht në Kuvend, duke lënë çështjen të hapur dhe duke paralajmëruar debate të mëtejshme.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights