Ka nisur me debate mbledhja e kësaj të enjteje, më 24 korrik e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Anëtari i këshillit bashkiak nga opozita, Dorian Teliti, kërkoi sqarimin e pozicionit juridik të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Sapo mori fjalën, Teliti u ankua për rendin e ditës duke thënë se “nuk duhet të jetë siç duhet të jetë” dhe dha arsyet se përse mendonte kështu.
Po drejtojmë për konkurse, për intervista, thirrje të drejtorëve edhe nga stafe dhe drejtues politik që nuk janë pjesë e Bashkisë së tiranës. Bashkia e Tiranës është ekzekutivi, dhe Këshilli Bashkiak, të vetmet autoritete që kanë të drejtën për menaxhimin e punëve, dhe sipas nenit 50 të ligjit për qeverisjen vendore, të gjitha proceset menaxhohen në fund fare dhe monitorohen nga Këshilli Bashkiak, dhe këtu duhet të bëhet diskutimi.”– tha Teliti.
Ndërsa këshilltari i opozitës po fliste, kryetarja e Këshillit Bashkiak dhe drejtuesja e seancës Megi Fino i fiku atij mikrofonin duke i thënë Telitit se ajo çka po thoshte nuk kishte lidhje me kërkesën e tij për të marrë fjalën për procedurë.
“Zoti Teliti jo nuk është për procedurë, ju lutem, dhe koha juaj për këtë pikë ka mbaruar. Nëse s’keni gjë tjetër të vazhdojmë me rendin e ditës. Zoti Teliti përfundoni sepse kjo nuk është diskutim për rendin e ditës.”– tha Fino.
Debatet vazhduan për disa minuta në lidhje me rendin e ditës dhe procedurat, ku u përfshinë të tjerë anëtarë të Këshillit Bashkiak nga të gjitha palët, derisa e mori fjalën Anuela Ristani, e cila nisi të fliste për situatën e zjarreve në vend.