Gjykata e Apelit në Romë ka ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e Protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve, duke e referuar çështjen për interpretim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Në disa vendime të dhëna gjatë muajit shkurt, gjykata thekson se ekzistojnë kontradikta të mundshme midis marrëveshjes dypalëshe dhe rregullave të Bashkimit Evropian që rregullojnë të drejtën e azilit.
Në tre dispozita të ndryshme, Gjykata e Apelit ka shqyrtuar rastet e tre shtetasve marokenë të cilët ishin transferuar në qendrën e pritjes për migrantët në Gjadër, në veri të Shqipërisë, sipas mekanizmit të parashikuar nga protokolli Itali-Shqipëri. Të tre personat kishin paraqitur kërkesë për “mbrojtje ndërkombëtare”, ndërsa mbi ta rëndonte edhe një dekret dëbimi nga territori italian.
Sipas gjykatësve, kërkesa për konfirmimin e ndalimit në qendrën e qëndrimit për riatdhesim (CPR) në Gjadër nuk mund të shqyrtohej pa marrë parasysh dyshimet mbi përputhshmërinë e marrëveshjes me legjislacionin evropian. Në vendimet e tyre, gjykatësit theksojnë se kjo çështje lidhet me një “referim paraprak” të bërë më 5 dhe 17 nëntor të vitit të kaluar nga vetë Gjykata e Apelit në Romë në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, për të sqaruar nëse zbatimi i protokollit dhe ligjit italian që e ratifikon atë është në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Bëhet fjalë për tre shtetas marokenë ndaj të cilëve ishte lëshuar një urdhër dëbimi nga Italia. Disa prej tyre kishin edhe precedentë penalë, tashmë pasi e kanë vuajtur dënimin, për vepra të ndryshme penale, përfshirë pjesëmarrje në organizata kriminale të lidhura me trafikun e drogës, dhunë seksuale dhe rezistencë ndaj autoritetit publik.
Megjithatë, sipas gjykatësve italianë, çështja kryesore nuk lidhet me profilin penal të personave në fjalë, por me respektimin e të drejtave procedurale të kërkuesve të azilit sipas legjislacionit evropian. Në vendimet e tyre, ata theksojnë se ekziston një kontradiktë e mundshme midis marrëveshjes Romë-Tiranë dhe rregullave të BE-së për azilin.
“Një azilkërkues ka të drejtë të qëndrojë në territorin e një shteti anëtar deri në momentin kur merret një vendim përfundimtar mbi kërkesën e tij”, thuhet në dispozitat e gjykatës. Sipas interpretimit të gjykatësve, transferimi i kërkuesve të azilit në një vend të tretë, si në rastin e Shqipërisë, përpara përfundimit të procedurës së shqyrtimit të kërkesës mund të jetë në kundërshtim me këtë parim.
Në disa raste të mëparshme, gjykatat italiane nuk kanë konfirmuar ndalimin e migrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri pikërisht për shkak të këtyre dyshimeve ligjore. Kjo situatë ka krijuar një debat të gjerë juridik dhe politik në Itali dhe në Bashkimin Evropian mbi modelin e menaxhimit të migrantëve jashtë territorit të BE-së.
