1200 630 dashamir xhika

Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Dashamir Xhika, u paraqit paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku qëndroi për rreth 1 orë e 40 minuta. Pas daljes nga ambientet e prokurorisë, ai deklaroi për mediat se ishte thirrur për një çështje që lidhej me periudhën e tij në krye të ARRSH-së gjatë viteve 2013-2017, por nuk bëhej fjalë për rrugën Tiranë-Elbasan.

“Isha për një procedurë që ka lidhje me detyrën time kur kam qenë në ARRSH, por jo për Tiranë-Elbasan”, u shpreh Xhika, duke shmangur të dhëna të mëtejshme mbi natyrën e hetimeve.

Kjo nuk është hera e parë që ai thirret nga SPAK. Më 14 maj 2024, Xhika u mor në pyetje për një procedurë tenderimi të zhvilluar gjatë mandatit të tij në ARRSH. Gjatë kohës që drejtonte këtë institucion, emri i tij u përmend në lidhje me akuzat për abuzime financiare në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan, një vepër që fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 240 milionë euro, por përfundoi me një kosto prej 400 milionë eurosh.

Më 10 shkurt 2023, ish-ministri i Transporteve, Damian Gjiknuri, dëshmoi në SPAK në lidhje me këto abuzime, duke denoncuar ish-drejtuesit e ARRSH për keqmenaxhimin e fondeve publike.

Përveçse një figurë e njohur në sektorin e infrastrukturës, Dashamir Xhika është edhe aktiv në politikë. Më 13 qershor të vitit të kaluar, ai u zgjodh anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë, me propozimin e Ilir Metës. Aktualisht, ai mban edhe postin e kreut të kësaj partie në Elbasan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights