Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, doli në një konferencë për shtyp pas operacionit “Eterna” që vuri në pranga Flodian Plakun, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që ishte i shpallur në kërkim.
Ai u vu në pranga në një hotel në Orikum ku qëndronte i strehuar.
“Operacioni u zhvillua në ambientet e një hoteli në Orikum, ku u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit: Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), 42 vjeç, banues në Vlorë, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin penal nr. 1885, datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit””, njoftoi policia.
Në momentin e arrestimit atij iu gjetën një pistoletë, 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë. Gjatë operacionit për kapjen e plakut u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç.
Në pranga për këtë rast janë vënë edhe tre persona të tjerë për “përkrahje të autorit të krimit”.
“Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit””, njoftoi policia.
I njohur me nofkën “Pole Qorri”, Plaku është i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjes.
Më herët në pranga e policisë ka rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jashtë vendit.
Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Tre persona zbritën nga automjeti “Land Rover Discover” dhe zbrazën kallashnikovët drejt viktimës, dhe më pas u larguan drejt fshatit Hasan e Bubq. Nga dinamika e ngjarjes dhe provat e gjetura në vendin e krimit, policia beson se ekzekutorët janë vrasës me pagesë.