Në një protestë të heshtur dhe vetëm me trokitjen e çelësave qindra persona u mblodhën përpara Fakultetit të Shkencave Statistikore në Universitetin La Sapienza të Romës për të kujtuar studenten Ilaria Sula, shqiptaren 22-vjeçare që u vra në mënyrë makabre nga ish-i dashuri i saj.
Përpara fotos së studentes së shkëlqyer u vendosën lule ndërsa u kërkua zbardhja e vërtetës dhe vendosja e drejtësisë për atë që ka ndodhur. Autoritetet kanë marrë të plotë dëshminë e autorit, 23-vjeçarit të lindur në Itali, por me origjinë filipinase Mark Antoni Samson.
Pasi ka pranuar krimin ka shqiptuar vetëm fjalët: “Më vjen keq për atë që bëra”. Hetimet janë fokusuar nëse i riu ka pasur bashkëpunëtorë për zhvendosjen e trupit të Ilarias nga banesa e tij ku ndodhi krimi deri në rrepirën ku ajo u gjet e futur në një valixhe.
Nën hetim janë edhe prindërit e tij që dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin që ndodhi ngjarja. Nuk është gjetur ende telefoni celular i viktimës të cilin 23-vjeçari thotë se para se ta hidhte në një kosh mbeturinash e përdori edhe pas krimit duke u dërguar mesazhe të afërmve. Këto mesazhe i konfirmoi edhe babai i Ilarias për RAI3.
“Nga telefoni i Ilarias me vinin vetëm mesazhe: “Jam mirë. Mos kini merak. Jam larguar me një djalë. Do kthehem pas një muaji”. Me këto dyshime Flamur Sula shkoi në komisariat ku bëri denoncimin dhe aty u përball edhe me ish-të dashurin e saj, i cili madje e kishte përqafuar për ta qetësuar.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin motivet e krimit nëse ka qenë diçka e planifikuar apo sherr i momentit. Ngjarja ka shkaktuar mjaft zemërim në vendin fqinj aq sa kryebashkiaku i Livornos ka kërkuar vendosjen e dënimit me vdekje në Itali.