Globalisht, çmimet e naftës u rritën në tregjet aziatike të enjten pasi investitorët monitoruan zhvillimet mbi armëpushimin e brishtë mes SHBA-ve dhe Iranit. Armëpushimi dy-javor i kushtëzuar tashmë është vënë në provë pas një vale sulmesh ajrore të Izraelit mbi Libanin, që shkaktuan paralajmërime nga Teherani për një “përgjigje vdekjeprurëse”, nëse sulmet vazhdojnë.
Çmimet e naftës kishin rënë të mërkurën pas njoftimit për armëpushimin, i cili përfshinte edhe rihapjen e Ngushticës kyçe të Hormuzit, një rrugë kyçe detare për transportin global të energjisë. Megjithatë, shqetësimet mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjes dhe kontrollet iraniane mbi lundrimin po mbajnë tregjet në tension.
Sipas të dhënave të tregut, Brent u rrit 2.2% në 96.70 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate në SHBA u rrit 2.8% në 96.90 dollarë. Çmimet mbeten dukshëm mbi nivelin para fillimit të konfliktit më 28 shkurt, duke reflekutuar pasigurinë e tregut dhe dëmtimet e infrastrukturës së naftës dhe gazit.
Eksperti i bankës OCBC, Sim Moh Siong, tha se tregu po fokusohet kryesisht tek fluksi i transportit energjetik përmes Ngushticës së Hormuzit dhe mënyra sesi Teherani do të menaxhojë lundrimin e anijeve. Analisti Danny Price nga Frontier Economics theksoi se marrëdhënia SHBA-Iran mbetet “qartësisht e brishtë”, ndërsa rikuperimi i objektivave të naftës dhe gazit të dëmtuara mund të mbajë çmimet e larta për të paktën një vit.
Derisa armëpushimi u njoftua të martën vonë me orën lokale të Uashingtonit, vetëm disa anije kanë kaluar Ngushticën, e kjo është shumë nën ritmin normal prej rreth 130 anijesh që kalonin në ditët para luftës. Analizat nga firma maritime Pole Star Global tregojnë se do të duhen të paktën 10 ditë për të përpunuar prapambetjen ekzistuese të anijeve, edhe nëse trafiku rikthehet në normalitet. Disa vende, përfshirë Malajzinë, Indinë dhe Filipinet, kanë negociuar kalimin e sigurt të anijeve të tyre.
Shtetet e përfshira kanë gjithashtu mosmarrëveshje mbi përfshirjen e Libanit në armëpushim. Të mërkurën, Izraeli kreu bombardimin më të rëndë mbi Libanin gjatë këtij konflikti, duke vrarë të paktën 182 persona. Hezbollahu reagoi duke lëshuar raketa drejt veriut të Izraelit, duke e konsideruar këtë si shkelje të armëpushimit dhe duke theksuar përkrahjen e Iranit.
Ndërkohë, tregjet aziatike kanë pasur rënie të lehtë të indeksëve kryesorë: Nikkei 225 në Japoni ra 0.5%, ndërsa Kospi në Korenë e Jugut 1.2%. Tregu global i energjisë dhe marrëdhëniet rajonale mbeten të tensionuara, duke bërë që çdo zhvillim mbi armëpushimin të ndikojë direkt në çmimet e naftës.
