Anetaret e keshillit te mandateve 1024x536

Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë kanë zhvilluar një konferencë për mediat, sot 20 dhjetor. Lëvizja e tyre vjen një ditë pasi Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për imunitetin e Belinda Ballukut, deputete, ministre dhe njëkohësisht zv/kryeministre.

Ata dënuan, sipas tyre, “aktin e paprecedentë” të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të mos caktuar një datë tjetër për mbledhjen e Këshillit.

“Ky është një akt politik i urdhëruar nga Edi Rama për të penguar drejtësinë dhe mbrojtur korrupsionin e tij, zv/kryeministres dhe qeverisë së tij”, tha Gazment Bardhi.

Duke iu drejtuar Peleshit ai kërkoi “thirrjen në fillim të javës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit për të dëgjuar kërkesën e prokurorisë, për të dëgjuar argumentet ose mbrojtjen, dhe për të marrë rekomandimin për t’i argumentuar seancës plenare për arrestimin ose heqjen e lirisë së zv/kryeministres Belinda Balluku”.

Bardhi u shpreh se opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e SPAK-ut. Sipas Bardhit, edhe prokurorët e posaçëm kanë shprehur shqetësimin se “çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton cënim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve”.

“Kërkesa e SPAK përveçse është argumentuar ligjërisht mbështetet nga një numër i konsiderueshëm provash, rreth 80 prova të ndara në disa volume në mijëra faqe që provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se kërkesa është e mbështetur ligjërisht dhe nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politikë”, tha Bardhi.

Ai akuzoi deputetët e mazhorancës se në 6 orë diskutime nuk ishin zëdhënës të interesit publik, por “avokatë të mirëfilltë të Ballukut”.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk e shqyrtoi dot më 19 dhjetor, kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren e njëherësh deputeten Belinda Balluku.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetin ishin edhe kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorët e Strukturës së Posaçme, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.

Ka pasur debate të vazhdueshme procedurale, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar 3 javë kohë për t’u njohur me materialet, konkretisht deri më 19 janar. Ndërsa prokurorët e SPAK kanë kërkuar 3 deri në 5 ditë, njëjtë si demokratët të cilët e shohin çështjen si urgjente.

Siç bëri me dije gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, Partia Socialiste ka kërkuar që fillimisht të flasë Gjykata Kushtetuese.

Gjatë seancës, zëvendëskryeministrja nuk u paraqit personalisht. Ajo zgjodhi të përfaqësohej nga avokati mbrojtës, për të gjitha shpjegimet e saj.

Debati mes PS-së e PD-së ditët e fundit është përqendruar edhe te USB-ja që përmbante dokumentacionin e SPAK, e cila është depozituar në kasafortën e protokollit të Kuvendit. Partia Demokratike dhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi kanë pasur qëndrime të kundërta mbi mënyrën sesi duhet trajtuar ky material.

Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes, ka maksimumi 2 javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat 3-mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.

Më 18 dhjetor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e “ndalimit të daljes jashtë vendit” për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me GJKKO-në. Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë.

Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderi për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar.

Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights