Akademia e sigurise1 1024x679

Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u certifikuan 112 oficerë të rinj sigurie që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit, si pjesë e nismës për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, vuri në dukje rëndësinë që po merr roli i oficerit të sigurisë në shkolla.

“Është një eksperiencë që është në vitet e fundit, por po fiton një traditë. Oficerët e sigurisë janë të rëndësishëm për sigurinë e fëmijëve tanë”, u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se ky rol është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Shtetit, ku aktualisht janë të angazhuar rreth 2.000 efektivë në afërsi të shkollave.

“Ne duam që në shkolla me shumë nxënës të shtojmë efektivët. Tek policia të kemi një partner, që garanton sigurinë e fëmijëve tanë”, theksoi Koçiu, duke u bërë thirrje oficerëve të rinj që ta marrin me përgjegjësi këtë rol delikat.

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi dimensionin e këtij pozicioni, duke nënvizuar se oficeri i sigurisë nuk është vetëm një mbrojtës fizik i nxënësve.

“Të zgjedhësh një pozicion të tillë do të thotë ta duash atë. Oficeri i sigurisë është shumë më tepër sesa një profil – është edukator, psikolog, oficer sigurie dhe mësimdhënës”, u shpreh Kumbaro.
Ajo vuri theksin tek rëndësia e komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin arsimor. “Ju duhet të keni shumë sy e veshë dhe të jeni në komunikim me drejtorët e shkollave, mësuesit, rojen e shkollës, që siguria e nxënësve të jetë prioritet absolut”, tha Kumbaro.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda, deklaroi se oficerët e sigurisë nuk do të jenë vetëm, por do të kenë edhe mbështetjen e Policisë.

“Oficeri i sigurisë është hallkë shumë e rëndësishme në siguri. Ju do të keni gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit, nuk do të jeni vetëm. Akademia e Sigurisë ka nxjerrë tashmë shtatë breza dhe ju jeni bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë, konsiderojeni veten si punonjës policie”, tha Proda.

Oficerët e rinj pritet të shpërndahen në shkolla të ndryshme në të gjithë vendin, veçanërisht në ato me numër të lartë nxënësish, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për zhvillimin e procesit mësimor dhe mirëqenien e fëmijëve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights