Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, regjistrimi i PD për zgjedhjet vendore të 14 majit do të jetë në përputhje me ligjin.
Celibashi tha se, situata është e tillë që do duhet të konsultojmë, maksimumi deri më datën 7 mars mbi legjitimitetin e personit që do të duhet të përfaqësojë interesat e PD, më së pari në procesin e regjistrimit si subjekt zgjedhor në KQZ.
“Ne jemi në këtë situatë edhe pse dikush përpiqet ta lexojë ndryshe, ose mos ta lexojë fare. Vendimmarrja e KQZ-së, e komisionerëve, më pas e KAS-it, po flas për rastin e Komisionerit, të paktën, do të jetë strikt, bazuar në Kodin Zgjedhor”, tha ai.
“Nuk kemi ardhur akoma tek ajo, nëse është e drejtë, apo e gabuar. Në momentin që do të vendosim për këtë, kjo vendimmarrje do të jetë tërësisht në përputhje me parashikimet e ligjit. Do të jetë një vendimmarrje e thjeshtë, nuk kam asnjë drojë”, tha Celibashi.

