Screenshot 2026 03 03 111431 696x385

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, me mbështetjen e Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi sot një tryezë konsultimi mbi projektligjin për financimin e partive politike, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me financimin e partive politike në vend, duke paraqitur edhe rekomandime konkrete për përmirësimin e kuadrit aktual ligjor dhe institucional.

Sipas tij, një ndër shqetësimet kryesore është mungesa e publikimit proaktiv dhe transparencës së vazhdueshme mbi financat e partive politike.

“E para ka të bëjë me mungesën e publikimit proaktiv dhe të transparencës së vazhdueshme lidhur me financimin e partive politike. Partitë politike nuk vendosin në dispozicion të institucioneve përkatëse si dhe publikut të dhënat e tyre financiare përveçse momentit kur KQZ i publikon raportet e tyre vjetore. Kjo do të thotë se transparenca realizohet vetëm në mënyrë pasive. Qytetarët, anëtarët e partisë, nuk kanë askes të drejtpërdrejt dhe periodik mbi informacion”, tha Celibashi.

Celibashi shtoi se rekomandohet raportim periodik brenda vitit, publikim i detajuar i të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe krijimi i një platforme elektronike të aksesueshme për publikun.

Një tjetër problem i theksuar sipas tij është auditimi formal dhe jofunksional i partive politike.

“Së dyti, auditim formal i partie politike, i cili është një auditim jo funksional. Ligji aktual kërkon vjetor për çdo parti politike të regjistruar. Mbi 50% e partive të regjistruara nuk kanë marrë pjesë në katër proceset e fundit zgjedhore. Më tej akoma nga 135 parti politike të regjistruara 84 prej tyre nuk kanë dorëzuar raportin financiar vjetor për 2024”, tha ai.

Kjo situatë, sipas Celibashit, tregon se auditimi realizohet në mënyrë formale dhe burimet administrative shpërndahen edhe për subjekte pa aktivitet real politik.

“KQZ ka evdientuar nevojën për kalimin drejt auditimit të bazuar mbi aktivitet financiar. Rekomandohet një auditim i abuzuar në risk dhe aktivitet real. Kontrolli duhet të bazohet tek partitë me aktivitet real kontrolli financiar duhet të përqendrohet tek partitë me aktivitetin financiar real”, tha Celibashi.

Celibashi ngriti gjithashtu shqetësimin për konfliktin e interesit në modelin aktual të auditimit. Sipas tij megjithëse audituesit përzgjidhen nga KQZ, pagesa e tyre kryhet nga vetë partitë që auditohen.

“Në disa raste partitë politike nuk janë audituar financat e tyre. Ky model në vlerësimin tonë krijon konflikt interesi potencial cenon pavarësinë e auditimit dhe dobëson efektivitetin e kontrollit financiar. Ndaj rekomandohet një unifikim i procesit të auditimit, që të paguhen nga KQZ”, tha ai.

Një tjetër çështje problematike, sipas tij është mospërputhja e sanksioneve ligjore për raportimin financiar me ato të parashikuara në Kodin Zgjedhor, duke krijuar paqartësi në zbatim dhe dobësim të kontrollit. Në këtë drejtim, sipas Celibashit, kërkohet harmonizim i sanksioneve administrative.

Komisioneri theksoi edhe kapacitetet e kufizuara institucionale të strukturës së KQZ-së që merret me mbikëqyrjen financiare, duke rekomanduar forcimin e burimeve njerëzore dhe logjistike për të garantuar një kontroll më efektiv.

Një tjetër problematike që evidentoi Celibashi kishte të bënte me pabarazia financiare mes partive.

“Sistemi aktual i ndarjes së fondeve publike favorizon partitë e mëdha dhe kjo në bazë të perfomancës së zgjedhjeve të kaluar duke krijuar barriera shpesh domethënëse për partitë e reja apo të ashtuquajtura partitë e vogla. Ne rekomandojmë që financimi vjetor i partive mos të jetë në raport 100% të drejtë me rezultatin e zgjedhjeve ose dhe vetëm me rezultatin e zgjedhjeve pararendëse”, tha ai.

Gjithashtu ai evidentoi edhe mungesën e transparencës në donacionet private dhe rreziku i ndikimeve të paligjshme.

“KQZ por edhe organizata monitoruese të ndryshme kanë ngritur shqetësimet për deklarime, jo të plota të donacioneve, mungesë për raportimin në kohë dhe vështirësi ne verifikimin e burimeve reale të financimit. Rekomandohet sqarimi i burimeve të ndaluara dhe një përkufizim më i qartë për to”, tha Celibashi.

Në përfundim Celibashi theksoi se, financimi i partive politike nuk është thjesht një çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me integritetin, standardet demokratike dhe legjitimitetin e sistemit përfaqësues në vend.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights