Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi ka vendosur të regjistrojë në zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës Partinë Demokratike, me kryetar Lulzim Bashës.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi tha se kërkesa e Lulzim Bashës plotëson kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike. Ai tha se KQZ e ka të pamundur të bëjë shqyrtim të procesit vendimmarrës të një partie politike. Sipas tij, KQZ është e detyruar të shohë kërkesën në aspektin formal.
“Basha ka legjitimitetin të paraqesë kërkesën për regjistrim në zgjedhje si subjekt zgjedhor. Tej çdo diskutimi, KQZ si organ administrativ e ka të pamundur nga pikëpamja ligjore që të bëjë një shqyrtim të të gjithë procesit vendimmarrës në një parti politike. Për shkak të ligjit KQZ është e detyruar ta shqyrtojë kërkesën për regjistrim thjesht dhe vetëm në aspektin formal, duke vlerësuar të gjithë dokumentacionin. E rëndësishme është dokumenti që vjen nga Gjykata e Tiranës. Është fakt i pasqyruar në një dokument zyrtar që kryetari i PD është z. Lulzim Basha dhe ky person ka të drejtën për të paraqitur kërkesën për të regjistruar PD-në si subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.