Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për veprimtarinë e punës së bërë gjatë vitit 2022.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Çela është shprehur se, në vitin 2022 ka pasur një vakancë prokurorësh në 42% për shkak të rivlerësimit kalimtar.

“Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, megjithë situatën e rënduar, prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse në prokurori vazhduan përpjekjet për të përballuar këtë gjendje kalimtare”, tha Çela.

Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, “kujdes i veçantë i është kushtuar rritjes së eficencës së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në nivel qendror e vendor, me miratimin dhe zbatimin e akteve të përbashkëta me disa institucione të përfshira në marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi”.

“Përgjatë vitit 2022 është kryer mjaft punë për arritjen e një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme. Do të evidentoja këtu masat administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, për rritjen e efiçencës dhe efektivitetit në veprimtarinë e sistemit të prokurorisë bazuar në një kuadër normativ të unifikuar dhe sa më të konsoliduar në veprimtarinë institucionale”, tha Çela.

Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Çela u shpreh se, “Prokuroria e Përgjithshme në bashkërendim dhe koordinim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, është përfshirë, angazhuar dhe ka kontribuar në fazën përgatitore të hartës së re gjyqësore, si një nevojë e domosdoshme në kushtet aktuale të gjendjes së shkaktuar nga vakancat në sistemin e prokurorisë, për të mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në prokurori, si dhe për të mundësuar rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratën dhe shërbimet mbështetëse, si dhe përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës”.

Prokurori i Përgjithshëm Çela u shpreh se, “kujdes i veçantë i është kushtuar rritjes së efiçencës së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në nivel qendror e vendor, me miratimin dhe zbatimin e akteve të përbashkëta me disa institucione të përfshira në marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi. Ka vijuar bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja nëpërmjet zyrës të prokurorit ndërlidhës në Eurojust”.

“Vlen të theksohen nënshkrimi i marrëveshjes së punës dy palëshe me Zyrën e Prokurorit Europian në Luksemburg si dhe i memorandumit të mirëkuptimit me Shoqatën Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP), aktivitete që evidentojnë tregues në rritje të bashkëpunimit si brenda vendit ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë e autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Këto kanë ndikuar në rritjen e besimit tek institucioni i prokurorisë nga partnerët tanë në marrëdhëniet juridiksionale me jashtë”, shtoi Çela.

Çela vuri në dukje se, “në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore, rekomandimeve të rezolutës dhe rekomandimeve të BE, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e aktiviteteve”.

“Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, objektivave institucionale, udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit të miratuara, ashtu si u theksua dhe ne hyrje të këtij raportimi, jemi të ndërgjegjshëm se realizimi i tyre është vështirësuar, si për shkak se në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm vijon krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme në këtë periudhë të gjatë kalimtare, ashtu dhe nevojave për ndryshimeve ligjore në kuadrin e implementimit të reformës dhe në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, tha Çela.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights