Qytetarët çekë votojnë të premten dhe të shtunën në një proces zgjedhor që pritet të rrëzojë qeverinë aktuale të qendrës së djathtë, pasi sondazhet po favorizojnë miliarderin populist Andrej Babis, i cili synon të rikthehet në pushtet me premtime për rritje pagash, rritje ekonomike dhe reduktim të ndihmës për Ukrainën.
Një ndryshim i tillë mund të forcojë kampin populist dhe anti-emigracion në Europë dhe të komplikojë marrëveshjet për politikat klimatike
Çekët janë të mësuar me ndryshimet politike, pasi asnjë qeveri në pushtet nuk ka fituar njw mandat të dytë që nga viti 1996.
Kthimi i Babis dhe kursi i tij ndaj Ukrainës
Andrej Babis, një aleat i Viktor Orbánit të Hungarisë në grupin “Patriotët për Europën” në Parlamentin Europian, ka mbajtur një qëndrim të paqartë për ndihmën ndaj Ukrainës, ndryshe nga qeveria aktuale që ishte ndër të parat që mbështeti fuqishëm Kievin pas sulmit rus në vitin 2022.
Edhe pse Çekia dha më pak ndihmë financiare në krahasim me vendet e tjera, ajo ishte ndër të parat që dërgoi tanke dhe mjete luftarake dhe krijoi “Nismën Çeke” për të grumbulluar miliona predha artilerie për Ukrainën, me financim nga vendet perëndimore.
Por Babis ka premtuar se do ta ndalë këtë projekt, duke e cilësuar si të kushtueshëm dhe duke kërkuar që ndihmën për Ukrainën ta menaxhojnë NATO dhe BE-ja.
“Ne nuk kemi para për popullin tonë. Programi ynë është për një jetë më të mirë për qytetarët çekë… Ne nuk jemi në Ukrainë”, tha Babis, 71 vjeç, në një debat televiziv të mërkurën në CNN Prima News.
Partia ANO pa shumicë të sigurt
Partia e Babis, ANO, pritet të marrë mbi 30% të votave, rreth 10 pikë më shumë se koalicioni Spolu i kryeministrit Fiala. Megjithatë, edhe me një aleat të vogël si partia e Shoferëve (Motoristët), nuk pritet të ketë shumicë në parlamentin me 200 vende.
Marrëdhëniet e tensionuara me Spolu dhe aleatët e tij mund ta detyrojnë Babisin të kërkojë mbështetje nga parti radikale anti-BE dhe anti-NATO, si partia e ekstremit të djathtë SPD dhe e majta ekstreme Stacilo!, për të formuar një kabinet njëpartiak.
Babis ka mohuar çdo ide për dalje nga Bashkimi Europian apo NATO, përfshirë edhe referendumet, duke kundërshtuar akuzat e qeverisë se ai mund ta largojë vendin nga kursi demokratik dhe pro-perëndimor.
“Këto frikësime do të trembin shumë votues, por është për të ardhur keq sepse nuk bazohen në të vërtetën“, tha Martin Klihavec, një sipërmarrës që mbështet ANO-n, gjatë një mitingu të Babis në Kralupy, pranë Pragës.
“Në kohën e qeverisë së mëparshme të Babisit, unë isha më mirë.”
Pengesa të tjera për rikthimin e Babis
Përveç politikës, Babis përballet me pengesa të tjera për të rifituar postin e kryeministrit. Si pronari i një perandorie të madhe në fushën e kimisë dhe ushqimeve, ai duhet të gjejë mënyra për të përmbushur ligjet mbi konfliktin e interesit. Gjithashtu, ai është i përfshirë në një proces gjyqësor për mashtrim, lidhur me përfitimin e një subvencioni të BE-së më shumë se 15 vite më pare, një akuzë që ai e mohon.
Koalicioni Spolu dhe aleatët e tij mund të ruajnë shumicën nëse disa parti të vogla nuk arrijnë të kalojnë pragun 5% për të hyrë në parlament, një skenar që i ndihmoi në zgjedhjet e fundit, por që sipas sondazheve është më pak i mundshëm këtë herë.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura: Të premten nga ora 14:00 deri në 22:00 dhe të shtunën nga ora 08:00 deri në 14:00. Rezultatet priten të shtunën pasdite.