Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako deklaroi sot në një prononcim për mediet në fshatin Hasturkas të Fierit se së shpejti do të nisë aksioni i kërkim- shpëtimit për dy barinj të cilët kanë mbetur në zonë të hapur ku ka prezencë uji.
“Jemi në veprim për të identifikuar se ku janë dy barinjtë që shërbejnë për ruajtjen e bagëtive në derdhje të lumit. Kanë pasur kontakte me familjarët e tyre, por për shkak të baterisë së telefonit kontaktet janë ndërprerë”, tha Çako.
Çako u shpreh se do të ngrihet një dron termik, për të lokalizuar dy barinjtë.
“Po presim të instalojmë një dron termik që të lokalizojmë vendndodhjen e tyre. Prej disa orësh nuk ka asnjë informacion për barinjtë”, tha Çako.
Ai nënvizoi se, nëse nuk do të ketë asnjë gjurmë prej tyre do të përdoren alternativa të tjera, si helikopter dhe forcat e ushtrisë.
