Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi raportoi sot për veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024 në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit të Ligjeve, tha se “raporti paraprak për zgjedhjet parlamentare të 2025, është raporti paraprak më i rëndë i dalë ndonjëherë në 25 vitet e fundit”.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, Bylykbashi tha se ODIHR ka nxjerrë përfundimin se problemi më i madh që vendos është bërja bashkë e shtetit me partinë politike në pushtet.
“Nuk janë pretendime nga palët, është konkluzion i ODIHR. Ka qenë në krye të rekomandimeve prioritare, abuzimi total i burimeve shtetërore nga qeveria. Konkluzioni i ODIHR është që qeveria përfitoi nga avantazhi i të qenit në pushtet. Kjo ka ardhur duke u përkeqësuar nga zgjedhjet në zgjedhje”, tha Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit, “ne kemi vënë në reformën e fundit të vitit 2020, një numër rregullash të forta që asnjë vend tjetër nuk i ka, ku përpiqemi të frenojmë invazionin e shtetit në zgjedhje. Por, sipas tij, në proceset zgjedhore këto janë injoruar totalisht.
Bylykbashi tha se “kemi denoncuar inaktivitietin e KQZ-së për të parandaluar në mënyrë efikase këtë invazion të shtetit”.
Sa i takon votimit me postë, Bylykbashi tha se ishte një “dështim katastrofik, me mijëra raste të evidentuara ku nuk u ka shkuar zarfi”.
Vetë Celibashi, duke iu përgjigjur deputetit të PD-së , tha se në raportin e monitorimit të zgjedhjeve “ka vlerësime pozitive”.
“Në kuadër të atyre masave që mori KQZ besoj se i kemi ushtruar ato kompetenca të dhëna nga ligji, kemi shqyrtuar të gjitha ankimet, denoncime edhe që lidheshin me sjelljen e funksionarëve publikë të qeverisë. Janë ato vendime që janë si nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor”, tha Celibashi.
Komisioneri shtoi se “bashkëpunim i KQZ me SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë një sukses, mendoj se ka kontribuar në mënyrë pozitive. Impakti ka qenë pozitiv dhe ka vend për ta përmirësuar këtë mekanizëm”.
“Falë edhe jush ose opozitës, ne kemi arritur të eliminojmë një gamë të madhe problemesh në procesin e votimit. Shifrat tregojnë se procesi i identifikimit të votuesve në qendrat e votimit është mjaft solid dhe me integritet”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se “votimi elektronik duhet të zgjerohet dhe më tej”.
Sa i takon votimit nga jashtë, sipas Celibashit “ishte një sukses me gjithë problematikat”.