Nënkryetari i Partisë demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi sot në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet elektorale të 11 majit se, “edhe unë e kam nisur shumë herët, në vitin e largët 2001, në të njëjtën kohë me z. Celibashi, angazhimin shumë aktiv në procesin e zgjedhjeve dhe kam qenë dëshmitar sesi kjo sallë dhe salla të tjera hotelesh ç’nuk kanë dëgjuar për zgjedhjet në Shqipëri. 25 vite më pas dëgjojmë të njëjtat diskutime, por tashmë jo për çështje standardesh, por për krime zgjedhore”.
Pra, shtoi ai, “kemi 25 vite që mbeten pothuajse të njëjtat tituj në tabelat që reflektojnë temën e diskutimit dhe kjo është gjë shumë e rëndë. Dhe përgjithësisht përpjekja ka qenë për t’ia vënë fajin partive politike. Një pjesë e madhe e fajit është tek partitë politike, pa diskutim. Por një pjesë e madhe është tek ligjzbatimi”.
“Nëse në Republikën e Shqipërisë nuk do të kishte ligje të mira, të qarta, me standarde për zgjedhjet sigurisht këtu do të ishte një diskutim shumë i fortë se si partitë politike mund të sillen ndryshe, pra e vetërregulluar me një kod sjelljeje të mirë të partive politike në fushatë zgjedhore, politikëbërje etj. Por, në këto 25 vite partitë politike, të shtyra nga nevoja apo nga qëllimi i mirë apo dhe nga presioni ndërkombëtar, kanë bërë një punë jo të vogël për sa i përket rregullave. E kemi mbushur me ligje”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi u shpreh se në këtë kuadër organet e ligjzbatimit kanë një rol shumë të rëndësishëm.
Nënkryetari i PD, Bylykbashi, u shpreh se, ditët e fundit kemi parë në mënyrën më të qartë se ç’është shteti elektoral. Mitingu i djeshëm dhe reagimi i Kryeministrit në lidhje me atë që po përvijohet si taskforca e organeve ligjzbatuese në lidhje me hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Ajo që është rekomandimi numër një i OSBE/ODHIR-it. Nuk kërkon ligj të ri. Sigurisht bërtet OSBE/ODIHR-i për cenim të sekretit të votës, për shitblerjen dhe cenimin e lirisë, por thotë: Hetojini dhe ndëshkojini”.