Deputetët opozitarë i drejtuan një sërë pyetjesh sot, 19 nëntor, në Kuvend Ministrit të Financave Petrit Malaj, lidhur me rënien e eksporteve, kursin e këmbimit valuator e deri tek të ardhurat për buxhetin e 2026-ës.
Në përgjigje të Jorida Tabakut, Malaj tha se në “listën e përfituesve të fshirjes së borxheve tatimore e doganore janë 202 mijë tatimpagues.”
Nënvizoi se ”kursi i këmbimit valutor tregtohet në treg të lirë e që bazohet te kërkesa dhe oferta ku qeveria nuk ndërhyn”.
“Efektet e humbjes janë rreth 70 milion euro. Rënia e Euros nga ana tjetër u vjen në ndihmë edhe konsumatorëve sepse produktet nga importi vijnë me çmime edhe më të lira”, tha Malaj.
“Sa i përket 1 miliard lekëve, ua alokojmë bashkive për menaxhimin e mbetjeve urbane. Buxheti i shtetit paguan 0 lekë për inceneratorët, ajo shumë i është shpërndarë bashkive”, shtoi ministri.
Po me fondet e IPARD ç’do ndodhë?
“Është një çështje që ka të bëjë me disa masa që qeveria duhet të përmbushë, jemi shumë besimplotë që IPARD 3 do të hapet përgjatë vitit 2026”, ripërsëriti Malaj.
Për eksportet theksoi se janë trefishuar në periudhën 2013-2024. “Eksportet e mallrave janë rritur në 1.7 miliard euro, ndërsa është katërfishuar eksporti i shërbimeve”, argumentoi ai.
“Ky projekt-buxhet ka zero rritje të taksave”, u shpreh ministri i Financave, në përgjigje të pyetjes së deputetit Klevis Balliu se “ku janë marrë gjithë ato para”.
“Cilat biznese do të kategorizohen për ta përfituar atë që quhet ulje në 5% të tatimit mbi fitimin? Cilat biznese përveç industrisë së madhe të ndërtimit, mund të kategorizohet nga kjo që quhet paqja fiskale?”, ishte pyetja e Redi Muçit.
“Bonusi është tjetër gjë, rritja e pensioneve tjetër. Pensionistët edhe në dhjetor me aktin normativ të bërë në shtator 2025, do të përfitojnë bonusin si vitin e kaluar. Kushdo përfiton nga paqja fiskale nëse bën marrëveshjen”, sqaroi Malaj.
Ka një diskriminim kur vjen puna te ndarja gjeografike e shpenzimeve publike?
“Nuk më rezulton që ndarja është bërë e tillë. Shpenzimet bëhen në varësi të ecurisë së projekteve”, tha Malaj duke i dhënë përgjigjen deputetit të PD-së, Bardh Spahia.
