881990bd b7b1 458e ae83 6ea57c602644 696x464

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka ka shprehur qëndrimin e saj në dëgjesën me grupin parlamentar të PS-së pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetime paraprake për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Bushka theksoi se e ka marrë vesh që është nën hetim nga mediat dhe se nuk është thirrur e dëgjuar kurrë nga prokurorët e SPAK për t’u ballafaquar në lidhje me këto pretendime.

“Përfshirja e emrit tim në hetimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, lajm që si ju e kam dëgjuar nga mediat përmes një deklarate për shtyp të SPAK-ut. Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Ligjeve, por dhe si person që i ka dedikuar gjithë jetën ligjit dhe drejtësisë kam punuar gjithë jetën me përkushtim dhe dinjitet për të vërtetën. Ngjarjet e ditëve të fundit, sidomos kjo çështje, kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë, të krijuara nga ky parlament dhe PS si mazhorancë udhëheqëse e këtyre 8 viteve, kanë fituar vetëbesimin e mjaftueshëm duke na çliruar ne nga pozicioni i mos komentimit të çështjeve. Premisa e dytë niset nga shqetësimi i thellë për funksionimin e shtetit të së drejtës, rolin e Kuvendit të Shqipërisë si garantuesin fundor të drejtësisë dhe respektimit të funksioneve të institucioneve. Në cilësinë e kryetares së komisionit të ligjeve kam përgjegjësinë kryesore që këto shqetësime t’i ndaj me ju dhe me opinionin publik”, u shpreh Bushka.

Ajo tha se: “jo vetëm e njoh Ajola Xoxën, por kam bashkëpunuar me të edhe para se të isha deputete. Erion Veliaj është miku im i fëmijërisë dhe jam krenare për punën që kemi bërë së bashku për transformimin e kryeqytetit. Kjo lidhje me ta më ka bërë të përjetoj gjithë kalvarin e vuajtjeve të fundit përfshirë linçimin publik dhe trysninë e vazhdueshme që u është dashur atyre të përballojnë. Jo pak herë kam qenë pranë Arjolës duke e mbështetur si mike, në nivelin njerëzor. Me Erionin kam pasur mundësi të flas më rrallë, por në çdo rast kam transmetuar besimin tim te e drejta dhe drejtësia”.

“Pas kontrollit të banesës dhe thirrjes së tyre nga Prokuroria, disa njerëz që i kam njohur nga koha, artistë apo ish-punonjës, jam vënë në dijeni të një shqetësimi se ata janë intimiduar, kërcënuar për t’iu marrë dëshmitë nën trysni. Disa prej tyre kanë treguar sesi janë marrë në pyetje mbi statusin procedurial në të cilin janë pyetur, si njeri i ligjit dhe deputete jam shqetësuar për disa shkelje të pretenduara të të drejtave individuale dhe elementeve të procesit të rregullt ligjor që u janë bërë këtyre njerëzve përfshirë dhe Ajolën dhe Erionin”, theksoi Bushka.

“Janë thirrur persona me statusin e personit që ka dijeni, ndërkohë që janë pyetur si persona nën hetim faktik duke detyruar edhe të dëshmojnë kundër vetes, duke lëshuar deklarata nën presion, duke u mohuar e drejta për mbrojtje ligjore. Tanimë që dosja për Ajolën dhe Erionin janë bërë publike ky nuk është më një aludim, por një fakt që prodhohet nga dhjetëra citime, të vetë deklaratave që përdoren si prova për të ngritur dyshime ndaj tyre për të hequr nga zyra dhe për ta dërguar në qeli kryetarin e Bashkisë të Tiranës, që është votuar tre herë nga qytetarët e kryeqytetit për të bërë atë detyrë”, tha Bushka.

Ajo vuri në dukje se, problematikat e kësaj çështje nuk janë në fakt një rast i izoluar por simptomat që janë bërë të dukshme dhe më parë.

“Për mua dhe kolegët e ligjeve kemi shprehur vijimisht shqetësimin si në Komisionin e Ligjeve në shkresa institucionale dhe në rezolutat e miratuara nga Kuvendi ku ka pasur rekomandime për forcimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor”, tha Bushka.

“Dua të sqaroj disa çështje që lidhen me këtë rast. Së pari sa i përket lidhjes sime apo bashkëshortit me një projekt, bashkëshorti im ka një biznes që ofron shërbime të teknologjisë së informacionit që prej 2006 dhe i ka faturuar një OJF “Byla” për shërbime mirëmbajtje, hostimi faqe interneti me një kosto 16 euro në muaj, faturimi total për një periudhë disavjeçare arrin në 112 mijë lekë me faturë fiskale të kryera në bankë”, tha Bushka.

“Kolegë a kaq vlen dinjiteti dhe emri im, si balancohet kjo, në koston e krijuar në emrin nderin dhe reputacionin tim profesional të ndërtuar një jetë të tërë. Si t’ia shpjegoj fëmijëve të mi dhe shokëve të tyre që jam e pafajshme”, tha ajo.

“Së dyti, për sa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë, si një person që kam punuar dikur dhe e kam familjare. Ina Goxhja është lidhje gjaku me mua. E kam qetësuar dhe këshilluar të thotë të vërtetën, e kam këshilluar dhe qetësuar. I kam thënë të marrë edhe avokat, të mbrohet. Nuk e kam penguar që mos thotë asgjë të vërtetë. Dhe unë jam e para e interesuar e para që të zbardhet e vërteta. E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për këtë unë kurrë nuk jam thirrur. Nuk jam dëgjuar ndonjëherë. Nuk më është dhënë mundësia të ballafaqoj komunikimet e të tretëve ku përmendet emri im dhe unë nuk jam pjesë fare”, vijoi Bushka.

“Unë kam dhënë kontribut për çështje të ndryshme në fushën e drejtësisë dhe kam punuar me burra dhe gra profesionistë për kauza të ndryshme. Në 2017 unë jam shkëputur nga bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe nga angazhime të tjera për të ushtruar me korrektësi mandatin e deputetit. Nuk kam pasur asnjë aktivitet me organizatat e shoqërisë civile, përveçse si bashkëpunëtore dhe miqësie”, tha ajo.

“Nga sa kam lexuar në media duket se kjo është një çështje e nisur mbi një kallëzim anonim, duke hetuar jo për veprën penale, po për jetën e një personi publik. Kjo na jep arsyen për të besuar në dyshime të arsyeshme se nuk bëhet për të zbardhur të vërtetën”, tha Bushka.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights