Burimet e rritjes ekonomike janë drejt shterimit dhe aktualisht po bazohen në sektorë të paqëndrueshëm. Industria dhe bujqësia që janë baza e prodhimit, punësimit dhe eksporteve prej kohësh janë zyrtarisht në recesion.
Të dhënat e fundit të INSTAT mbi ecurinë e PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë se sektori bujqësor që përfshin edhe pyjet dhe peshkimin shënoi rënie me -2.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa industria ra me -1.8% në të njëjtën periudhë.
Të dyja së bashku, bujqësia dhe industria, ishin përgjegjëse për 47 për qind të totalit të punësimit në vend në vitin 2024. Gjithashtu, shporta e eksporteve dominohet nga këto sektorë.
Bujqësia në pikiatë pas pandemisë
Të dhënat e publikuara mbi normën e rritjes reale të PBB-së në bujqësi tregojnë për një tendencë të vazhdueshme rënieje pas vitit 2020.
Në vitin 2019, bujqësia pati një ecuri pozitive, me rritje nga 1.8% deri në 4.3% në tre tremujorët e parë, ndërsa në fund-viti ra lehtë në -1.6%.
Viti 2020 nisi me një rritje të fortë prej 5.2% në tremujorin e parë, e ndjekur nga +3.6% në tremujorin e dytë, por rënia nisi në 6-mujorin e dytë të 2020 dhe nuk ndaloi më (shiko grafikun më poshtë).
Nga 2021, kriza u thellua. Tremujorët e parë dhe të dytë panë rënie me -1.6% dhe -3.8%, për të vijuar me -1.1%, duke çuar prodhimin vjetor të këtij viti me rënie -1.6%.
Viti 2022 e thelloi më tej rënien me -4.8%. E njëjta situatë me tkurrje të prodhimit vijoi në 2023 dhe 2024, përkatësisht me -1.3% dhe -2%.
Dy faktorët kryesorë që kanë sjellë më rënie prodhimin bujqësor janë financimet e pakta për sektorin dhe tkurrja e popullsisë në zonat rurale.
Shqipëria ofron financimet më të ulëta për bujqësinë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, teksa Bashkimi Europian ka bllokuar fondet IPARD për shkak të praktikave korruptive që gjeti për ndarjen e fondeve në Shqipëri.
Nga ana tjetër, popullsia në fshat, sipas të dhënave të censit, ka rënë me rreth 20 për qind, një normë më e lartë se mesatarja e qyteteve.
Megjithë rënien, bujqësia është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë dhe punëdhënësi më i madh.