Sektori bankar ka arritur të përmbushur plotësisht deri kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, objektivi i ndërmjetëm i kërkesës për MREL për vitin 2024, arrin mesatarisht në 18.2% të ekspozimeve të ponderuara me rrezik, kundrejt objektivit të ndërmjetëm të vitit 2023 prej 16.4%. Gjatë kësaj periudhe, sektori bankar
e ka përmbushur plotësisht objektivin e ndërmjetëm, duke ruajtur një kapacitet mesatar të MREL-it në nivelin 21.6% të ekspozimeve të ponderuara me rrezik.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, janë 5 banka të sektorit bankar që i nënshtrohen kuadrit rregullator të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duke përmbushur kërkesën për MREL.
Objektivi përfundimtar që duhet të përmbushet brenda vitit 2027, mesatarisht qëndron në nivelin 24.9% të ekspozimeve të ponderuara me rrezik.
Kapitali rregullator përbën burimin kryesor të financimit të MREL, ndërsa titujt financiarë senior përbëjnë rishtazi peshën kryesore të detyrimeve të pranuara.
Gjashtëmujori i parë i vitit 2024, shënon nivel të moderuar të aktivitetit të bankave për emetimin e titujve financiarë për qëllime të kërkesave rregullative, kundrejt vitit 2023.
Gjatë kësaj periudhe, bankat që i nënshtrohen kërkesës për MREL emetuan në tregun e kapitalit në formën e obligacioneve me ofertë private, tituj borxhi të pagarantuar.
Kapaciteti i tregut të kapitalit për të përthithur këto emetime, sipas Bankës së Shqipërisë, mbetet i kënaqshëm. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, titujt financiarë të miratuar për emetim janë blerë nga investitorët në treg, në të cilin individët përbëjnë bazën kryesore të investitorëve.
Normat e interesit në tregun e kapitalit kanë shënuar ulje, në reflektim të zhvillimeve në tregun financiar, ofertës së titujve dhe natyrës së borxhit të pagarantuar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, normat e interesit kanë shënuar një ulje prej rreth 2.2% për emetimin në lekë, 0.7% për euron dhe 1.7% për dollarin amerikan, krahasuar me totalin e emetimeve për vitin 2023.