Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh sot në një deklaratë për shtyp se, “strehimi është plaga më e madhe që vuajnë banorët e Tiranës dhe sidomos çiftet e reja”.

“Një çifti të ri në Tiranë i duhen të paktën 30 vite që të ketë një banesë të vetën.  Në kushtet e rritjes së çmimeve, taksave dhe tarifave vendore, në kushtet e mungesës së vendeve të punës, e politikave favorizuese të Bashkisë së Tiranës për qytetarët e saj për të blerë një banesë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk zbaton ligjin e Parlamentit 22/2018 për strehimin social”, tha ai.

Sipas këtij ligji, theksoi Braimllari, “bashkia e Tiranës ka detyrimin që 3 % të sipërfaqes së lejes së ndërtimit ta marrë në funksion të fondit të strehimit social. Ligji përcakton qartë dhe prerë që bashkitë do të marrin vetëm sipërfaqe banimi dhe nuk lejon asnjë transaksion tjetër me para”.

Ndërkohë, shtoi ai, “Erion Veliaj në mënyrë të paligjshme dhe duke shpërdoruar detyrën i ka propozuar këshillit bashkiak monist në 2019, që këto hapësira të mos merren nga bashkia, por të bëhet likujdim me lekë nga ndërtuesi”.

“Këshilli Bashkiak ka miratuar këtë vendim të paligjshëm duke shkelur çdo ligj e çdo kompetencë që ai ka”, tha Braimllari.

“Vetëm deri në vitin 2022, Bashkia e Tiranës ka dhënë 1945859 metra katrorë lejë, nga të cilat duhet të kishte 58375 mijë metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar banimi për strehimin social. E përkthyer në shifra, Bashkia e Tiranës duhet të kishte marrë rreth 1 mijë apartamente 1+1 për t’i shpërndarë familjeve të pastreha”, tha ai.

Për këtë çështje, u shpreh Braimllari, “Partia e Lirisë që në vitin 2022 i ka bërë një kërkesë SPAK për të hetuar kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj dhe Bashkinë e Tiranës për këtë shkelje të ligjit, në dëm të qytetarëve të thjeshtë, pasi faktet dhe provat janë të pakundërshtueshme dhe të bazuara në informacionin zyrtar të Bashkisë së Tiranës”.

Ai i kërkoi SPAK që ta hetojë këtë çështje me interes shumë të lartë publik.

“Deri më sot, kur kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nuk ka asnjë veprim nga SPAK për këtë shkelje flagrante dhe shpërdorim të detyrës nga Erion Veliaj dhe këshilli bashkiak”, theksoi nënkryetari i Partisë së Lirisë.

“Partia e Lirisë, nëpërmjet grupit të saj të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës do të kërkojë informacion të zgjeruar dhe raportim përpara këshillit për këtë çështje ku do të kërkojmë dhe prezencën e qytetarëve.  Angazhimi ynë për transparencë deri në fund në Bashkinë e Tiranës nuk do të ndalet pasi kjo është detyra që qytetarët na kanë ngarkuar me votën e tyre”, përfundoi Braimllari.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights