Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh sot se, “keqmenaxhimi i sistemit energjetik tani është evident dhe për shkak të korrupsionit, vendi blen energji me çmim shumë herë më të lartë dhe e shet me çmim shumë më të ulët se tregu”.
Në një deklaratë për mediet, Braimllari u shpreh se, “qytetarët shqiptarë vidhen hapur nga abuzimet në sistemin energjetik”.
“Investime marramendëse, rreth 1 miliard euro, janë hedhur për të ulur humbjet në rrjet dhe në vazhdojmë të jemi përsëri vendi me humbjet më të larta në Europë, në vlerën e 20%. Sipas planifikimit strategjik të vetë Rilindjes, këto humbje në vitin 2019 duhet të ishin në vlerën e 14%, pra në 2023 duhet të ishim shumë më pak se 14%. 70 % e humbjeve të sistemit tonë energjetik, vijnë si pasojë e amortizimit të rrjetit, edhe pse OSHEE, çdo vit, planifikon qindra miliona euro investime nga taksat e qytetarëve, për të ulur humbjet dhe kjo gjë nuk realizohet.
Sepse është e qartë, paratë e qytetarëve vidhen duke rënduar mbi buxhetin e familjeve shqiptare”, tha ai.
Braimllari theksoi se, vetëm borxhi i ndërsjellë, i ndërmarrjeve shtetërore, në raport me OSHEE, shkon 1.3 miliard euro.

