Familjet e prekura nga përmbytjet e mbrëmjes së të dielës së fundit në Njësinë Administrative Bradashesh shprehen se ndihen të rrezikuara sa herë që bien reshje shiu. Sipas tyre, shkak për situatën e përsëritur është firma “Salillari”, e cila po kryen punimet për ndërtimin e urës së rrugës Papërr–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, mbi përroin e Kushës në fshatin Katund i Ri.
Një nga banorët e dëmtuar, Nexhip Meta, tregon pasojat e rënda që ka pësuar: “Përmbytja më dëmtoi 18 koshere bletësh dhe dhjetëra pula. Uji që hyri në shtëpi arriti mbi gjysmë metri. Është hera e tretë që përmbytemi në këtë lagje.” Banorët theksojnë se jetojnë me frikë të vazhdueshme dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të shmangur dëme të tjera.
Ndërkohë, strukturat e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan akuzojnë kompaninë për bllokimin e kanaleve kulluese me inerte, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në daljen nga shtrati të përroit të Kushës. Sipas tyre, kjo është hera e dytë që kompania përballet me akuza të tilla në këtë zonë.
Reshjet e fundit rikthyen përmbytjet në disa banesa pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke rritur tensionin mes banorëve dhe palëve të përfshira. Aktualisht, mësohet se po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, ndërsa priten verifikime në terren për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të marrë masat përkatëse administrative e ligjore.
