Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe zhvilloi sot seancë pyetje-përgjigje në Kuvend me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Duke parashtruar kërkesën e tij, Braçe pyeti ministrin Salla lidhur me situatën e krijura për shfrytëzimin e sipërfaqe toke publike pranë lumit Seman në fshatin Bubullimë të bashkisë së Lushnjës.
Braçe theksoi se e njëjta problematikë është edhe në shtratin e lumit Shkumbin ku ka pretendime herë pas here për të marrë sipërfaqe nga toka e lumit dhe për t’u kthyer në pronë private në funksion të disa individëve.
“Historia ka mbi 2 vite që konsumohet në tokat pranë lumit Seman edhe lumit Shkumbin, ku individë që kohë pas kohe mbrojnë njeri-tjetrin synojnë të përfitojnë tokë publike”, tha Braçe.
Situata, sipas tij, bëhet akoma më e vështirë në kushtet kur të paktën nga nëntori i vitit 2025 deri tani lumi Seman ka dalë nga shtrati të paktën 5 herë.
“Kjo jo vetëm për shkak të kushteve atmosferike por edhe për shkak të ndikimeve që ka HEC-i i Banjës i lidhur me lumin Seman. Mendoj se kjo sipërfaqe toke është jetike për të mbrojtur fshatin dhe tokat bujqësore”, tha Braçe.
Braçe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së tokave bujqësore, të cilat sipas tij është themelore që t’i mbeten bujqësisë dhe asnjë sektori tjetër apo iniciative tjetër private që ndikon në administrimin e tokës.
