Gjatë prezantimit të kësaj draft-strategjie, Braçe vlerësoi se ajo synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe ligjore për të parandaluar dhe luftuar ndërhyrjet e huaja që mund të ndikojnë në proceset demokratike, stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare, ekonominë dhe infrastrukturën kritike të Shqipërisë, veçanërisht në sektorët strategjikë të saj.
“Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtare e NATO-s nuk është imune ndaj këtyre formave të ndërhyrjes. Përkundrazi, pozicioni ynë gjeopolitik dhe tranzicioni i gjatë institucional na bëjnë të ekspozuar ndaj rreziqeve hibride që synojnë të cenojnë besimin e publikut në institucionet kushtetuese, të manipulojnë opinionin publik përmes fushatave të koordinuara, të cenojnë integritetin e proceseve zgjedhore dhe vendimmarrjeve në lidhje me politikën të qytetarëve si dhe të dominojnë ekonominë për të penguar zhvillimin, veçanërisht në sektorët kritikë të ekonomisë”, shtoi ai.
Braçe theksoi se Strategjia Kombëtare e vendos luftën kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit si një prioritet strategjik kombëtar dhe përcakton qartë masat për ndërtimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe shoqërore.
Siguria kibernetike, sipas tij, “është shndërruar në një komponent kyç të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet gjithashtu me rritje të ndjeshme të incidenteve. Vetëm në vitin 2023 pati një rritje me 40% të incidenteve të raportuara me mbi 1.2 milionë të dhëna personale që u ekspozuan nga shkeljet e sigurisë në vendet e rajonit. Gjatë vitit 2023 sulmet u rritën me 200%. Brenda dy viteve kjo statistikë sjell nevojën urgjente për masa gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.
Braçe nënvizoi se Shqipëria është përballur me një seri sulmesh kibernetike të sofistikuara që prej vitit 2022 të cilat kanë pasur si objektiv infrastrukturën dixhitale të institucioneve shtetërore dhe subjekteve kritike.
“Në sulmin e parë u identifikuan aktorë shtetërorë iranianë. Grupet e lidhura me interesat iraniane morën përgjegjësinë për këtë veprim dhe publikuan të dhëna të vjedhura duke synuar cenimin e besimit të opinionit publik mbi institucionet Kushtetuese. Këto ngjarje kanë treguar se Shqipëria është një objektiv i vazhdueshëm i sulmeve kibernetike me motivim të qartë politik dhe gjeostrategjik duke theksuar kështu rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë”, tha Braçe.
Në këtë kontekst, ai theksoi se draftstrategjia kombëtare është hartuar në përputhje me një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse dhe synon ndërtimin e kapaciteteve shtetërore për të adresuar kërcënimet kibernetike.
Braçe theksoi se gjithëpërfshirja dhe transparenca ishin në fokus të punës së këtij komisioni i cili e shtriu veprimtarinë e tij gjatë periudhës qershor 2024-mars 2025.
Sipas tij, janë analizuar modelet më të mira ndërkombëtare me synimin për të ndërtuar një qasje strategjike të përshtatur me realitetin shqiptar dhe në përputhje me standardet europiane dhe euroatlantike.
Ai informoi se si pjesë e këtij procesi janë zhvilluar takime pune me grupe të ekspertëve të jashtëm ku u përcaktuan hapa dhe afate për hartimin e draft-strategjisë.
“Përfaqësues nga institucionet publike dhe ekspertë të pavarur kanë kontribuar në përgatitjen e një dokumenti analitik, i cili përshkruan gjendjen aktuale të ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri. Ky dokument shërbeu si bazë për hartimin e draft strategjisë dhe përcaktimin e ndërhyrjeve prioritare të cilat janë në përputhje me objektivat kyç të komisionit”, shtoi Braçe.
Puna për hartimin e strategjisë ka kaluar në disa faza, ku Braçe veçoi analizën e detajuar të situatës aktuale të ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri.
Ky proces, sipas tij, “ka përfshirë vlerësimin e ndikimit të ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje dhe procese demokratike duke analizuar rreziqet që lidhen me financimin politik, aktivitetet propagandistike dhe manipulimin informativ, studimin e rasteve konkrete të dezinformimit dhe operacioneve të ndikimeve të huaja të identifikuara nga institucionet e sigurisë kombëtare dhe raportet ndërkombëtare”.
Po ashtu, Braçe theksoi se është kryer analiza e legjislacionit për të përcaktuar boshllëqet ligjore që mund të shfrytëzohen nga aktorët e huaj për të ndikuar në Shqipëri, si dhe janë vlerësuar aftësitë institucionale për të zbuluar dhe kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin informativ.
“Përmes këtij studimi evidentohet nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar mes institucioneve shqiptare për të adresuar kërcënimet në mënyrë efektive dhe në kohë”, shtoi ai.
Duke sjellë në vëmendje objektivat kryesorë të strategjisë, Braçe tha se ajo fokusohet në 4 shtylla kryesore.
Ai nënvizoi forcimin e kapaciteteve institucionale për të parandaluar, zbuluar dhe analizuar ndërhyrjet e huaja në fushatat zgjedhore, përfshirë përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit mbi ndikimet e huaja në proceset zgjedhore dhe financimin politik të partive politike dhe aktorëve që bëhen pjesë e zgjedhjeve.
“Strategjia synon mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë për të identifikuar dhe neutralizuar ndërhyrjet e huaja në vendimmarrjen politike dhe institucionale”, tha Braçe.
Po ashtu objektiv i strategjisë, sipas tij, “është sigurimi i mbrojtjes së ekonomisë kombëtare dhe veçanërisht sektorëve kritikë strategjikë, si dhe hartimi i masave për të shmangur ndikimin e huaj në sektorët strategjikë si energjia, infrastruktura dhe teknologjia.
Një tjetër fokus i strategjisë, sipas Braçes, mbetet forcimi i lirisë së shprehjes dhe medies në tërësi si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për dezinformimin.