Ashtu siç ishte premtuar, këtë vit pensionistët do të marrin edhe bonus pranvere. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama thotë se shpërndarja e këtij bonusi nis në datën 1 Mars.
Rama ka shpërndarë vendimin, krahas së cilit shkruan se ai flet me përgjegjësi të plotë për atë që ka të bëjë me detyrën që i ka dhënë populli.
Kryeministri e përmbyll postimin duke uruar pensionistët teksa thotë: Zoti paftë e bëftë për ata që luajnë edhe me nervat e tyre.
Bonusin e pranverës do ta përfitojnë 730 mijë e 430 pensionistë. Ky bonus do shpërndahet 10 mijë Lekë për ata që marrin pension më të ulët se 20 mijë Lekë në muaj dhe 5 mijë Lekë për pensionistët që marrin mbi 20 mijë Lekë pension në muaj.
REAGIMI I KRYEMINISTRIT RAMA:
Jo vetëm që unë nuk gënjej po flas me përgjegjësi të plotë për çka ka të bëjë me detyrën që më ka dhënë populli, e meqë vizion kanë akuzën, program kanë shpfijen dhe forcë udhëheqëse kanë gënjeshtrën, kudo, kurdoherë e për çdo gjë, e përhapën edhe lajmin që s’ka bonus për pensionistët! Por ja që vendimi për bonusin është marrë që në 9 Janar dhe shpërndarja nis në 1 Mars. Ta gëzojnë pensionistët dhe Zoti paftë e bëftë për ata që luajnë edhe me nervat e tyre.