Deputetët e mazhorancës dhe opozitës debatuan sot në Kuvend lidhur me përfshirjen në rendin e ditës të ndryshimit të vendimit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale”.
Në nisje të seancës plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se në Konferencën e Kryetarëve nuk është marrë një vendim për përfshirjen e këtij vendimi në seancën e sotme plenare.
“Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancën plenare”, tha Zhupa.
Zhupa siguroi se PD ka qenë gjithmonë e gatshme për t’i qëndruar vendimit që ka votuar në Kuvend për të bërë bashkërisht reformën territoriale, ndërsa kërkoi edhe nga mazhoranca që t’i qëndrojë këtij vendimi.
“Tërhiqeni atë projektvendim që keni futur sot, sepse fillimisht duhet të kalonte në Konferencën e Kryetarëve. Po ashtu janë dy bashkëkryetarë që duhet të bashkërendojnë mbledhjen. Nuk mundet PS t’i imponohet PD-së. Mos votoni në mënyrë të njëanshme për të dështuar paraprakisht reformën elektorale, siç e bëtë në vitin 2014 dhe sot pasojat i vuajnë qytetarët shqiptarë”, tha Zhupa, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
Nga ana e saj nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu bëri të ditur se në Konferencën e Kryetarëve u vendos se nëse opozita do të merrte pjesë në mbledhjen e djeshme të komisionit, ky projektvendim nuk do të kalonte në seancë plenare.
Duke marrë fjalën në seancë, bashkëkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale, Luçiano Boçi u shpreh se “nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve”.
“Është dhënë vetëm një ultimatum për një mbledhje të thirrur nga komisioni i reformës territoriale. Kur ka një kryetar, sipas Rregullores mbledhja thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Si ndodh që për komisionin e posaçëm, që ka dy bashkëkryetarë, komisioni të mblidhet me urdhrin e njërit prej tyre. Kjo është e turpshme dhe më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve. Nëse doni që këtë parlament ta ktheni në koloni ndëshkimore për opozitën, bëjeni”, tha Boçi.
