Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha sot se parlamenti dëshmoi edhe një herë se është sot landfilli më i madh i antikushtetutshmërisë.
Pas miratimit të programit qeverisës dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave në Kuvend, Blushi e cilësoi këtë akt si “të paprecedent” dhe si një “sjellje kriminale”.
“Një akt i paprecedent, një sjellje kriminale, sidomos në raport me qytetarët që sot prisnin të dëgjonin një debat publik në lidhje me programin qeverisës, që nuk ekziston as ai, njëlloj si inceneratorët fantazmë”, tha Blushi.
Kuvendi votoi sot me 82 vota pro programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë. Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale. Mazhoranca nga krahu tjetër kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, që votua me 82 vota mazhoranca, teksa opozita abstenoi.