Sot, 6 qershor, myslimanët në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit islam.
Dita nisi me faljen e namazit të Bajramit në xhami dhe me mijëra besimtarë myslimanë që u mblodhën në orët e para të mëngjesit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Kurban Bajrami simbolizon sakrificën, mëshirën dhe ndihmën ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre në nevojë.
Në këtë ditë, besimtarët therin kurban (zakonisht një dash, dele apo lopë), si një akt adhurimi dhe solidariteti. Mishi i kurbanit ndahet me familjen, fqinjët dhe njerëzit në vështirësi.
Kurban Bajrami është gjithashtu një kujtesë për të qenë sa më pranë familjes dhe për të forcuar lidhjet shoqërore dhe shpirtërore.
Presidenti Begaj e kryeministri Rama urojnë besimtarët
Në këtë ditë të shenjtë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi të gjithë besimtarët myslimanë.
“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot. Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë. Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre! Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!”, shkroi Kreu i Shtetit.
Me foton e ambienteve të brendshme të një xhamie, kryeministri Edi Rama uroi po ashtu të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, ishte urimi i kreut të qeverisë.