Kryetari i Grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një takim në Selenicë se, “kurrë në histori, një komb në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk është shkretuar siç po shkretohemi ne shqiptarët”.
“Momenti në të cilin ne takohemi, është një moment thirrje kushtrimi për secilin prej nesh, për çdo shqiptar, pasi shoqëria shqiptare, populli i Selenicës, i Vlorës i Shqipërisë përjeton në një farë mënyre një nga momentet absolutisht më dramatike të historisë tonë kombëtare. Përjeton një moment në të cilin ne jemi pakësuar dhe po pakësohemi, jemi shkretuar dhe po shkretohemi me një shpejtësi të pabesueshme. Ne mblidhemi në një moment, kur me statistika 38% e qytetarëve të Vlorës kanë braktisur Vlorën, gjatë 9 viteve të fundit. Ne mblidhemi në një moment, kur me statistikë të saktë, 34 % e shqiptarëve kanë braktisur Shqipërinë për BE-në dhe vende të tjera”, tha Berisha.
“Dhe po të kemi parasysh se 80% e të larguarve nga Shqipëria janë të rinj, kjo e thellon edhe më shumë dramën, katastrofën tonë, mbasi e vërteta është se të humbasësh 80% të rinjve, ke humbur një gjeneratë të tërë dhe më shumë se një gjeneratë. Është në detyrën tonë, në detyrën e çdo demokrati e demokrate, të çdo qytetari, pa parti, por edhe të çdo socialisti që e do këtë vend, të bashkohemi të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe, të bashkohemi sepse nuk ka asnjë shkak natyror që ne të braktisin këtë tokë të bekuar. Të bashkohemi dhe të shtrojmë pyetjen, pse ne po ikim në këtë mënyrë, çfarë po ndodh me Shqipërinë e shqiptarët”, u shpreh ai.
Berisha u ndal edhe në raportin e publikuar një ditë më parë nga DASH.
“Dje Departamenti Amerikan i Shtetit denonconte në mënyrë eksplicite vjedhjen me djegësat. 237 milionë dollarë janë zhdukur thuhej në raport. Rrugët anësore kushtojnë me Edi Ramën 2.2 herë më shumë se sa vetë autostrada. Këta ndërtojmë kilometrin me paratë tuaja, 24 milionë euro autostradë në fushë. Këta vjedhin 70 deri në 90% të gjithë fundit të punëve publike. Këta ndërtojnë një shkollë e cila kushton 700 mijë euro në të gjitha manualet e ndërtimit me 5-6 mln euro dhe këto janë realitete”, u shpreh Berisha.

