Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur sot se organizata e partive të djathta e udhëhequr nga Partia Republikane amerikane miratoi dje rezolutën ku jepet mbështetje e plotë për opozitën shqiptare.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se rezoluta u miratua dje në Uashington, në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, që bashkon rreth 80 parti politike të djathta dhe të qendrës së djathtë, por që de facto udhëhiqet nga Partia Republikane e SHBA-së.
“Një ngjarje e re e madhe ka ndodhur në denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.E regjimit që i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. E regjimit që përdor prokurorinë si armë politike kundër opozitës. Mbi të gjitha e regjimit që ka ndërtuar në Shqipëri narko-shtetin si kërcënim serioz për sigurinë e rajonit, Europës dhe më gjerë”, u shpreh ai.
Sipas tij, forumi i Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar ka votuar në unanimitet të plotë pa asnjë vërejtje, rezolutën kushtuar Shqipërisë e cila në harkun kohor 14-mujor, shënon rezolutën e shtatë ndërkombëtarë në të cilën forcat politike të qendrës së djathtë në botë kanë shprehur mbështetje të plotë për opozitën shqiptare.
Sipas tij, “këto rezoluta janë mbështetje e fuqishme për opozitën shqiptare, që përballet çdo ditë me regjimin e bazuar mbi drogën, narko-shtetin”.
“Kurrë ndonjëherë, bota perëndimore nuk ka folur në një dokument me një gjuhë kaq të qartë sa ç’ka folur dje në Uashington me datën 5 dhjetor në forumin botëror të IDU. Një mirënjohje të pakufishme ndaj miqve tanë dhe një zotim solemn para shqiptarëve dhe atyre se asgjë në botë nuk mund të mposhtë PD-në dhe opozitën shqiptare pa përmbushur misionin e saj, qëndresën e fuqishme ndaj narko-shtetit dhe largimin e tij sa më shpejt nga qeveria”, shtoi ai.
Duke folur për zhvillimet brenda PD-së, Berisha tha se Foltorja ka qëllimin e vet, një takim dhe debat të hapur pa filtra, para kamerave, me mbështetësit tanë.
“Ne aty regjistrojmë propozimet e tyre, shënojmë kritikat që ata bëjnë në mënyrë që të përmirësohemi. Por do të ishte jo e drejtë dhe jo reale, nëse do të pretendohej se me këtë foltore ne ezaurojmë debatin e domosdoshëm të brendshëm në parti, analizën e punës tonë. Ajo do të bëhet në çdo qelizë”, shtoi ai.
Berisha tha se “ne nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por as symbyllas nuk jemi”.
“Do jenë strukturat ato të cilat do të bëjnë të gjitha propozimet, mendimet, kritikat. Ne jemi parti e mendimit të hapur, nuk vdesin kurrë, sepse jemi parti e vlerave të lirisë. Kjo është e gjithë puna. Do të ketë diskutim, do të ketë me dhjetëra, qindra diskutime. Po, t’ja themi njëri-tjetrit gjërat, do japim shpjegime, do japim llogari, do mbajmë përgjegjësi. Pra kjo është e domosdoshme”, u shpreh ai.
Ndërkohë mbrojtja e votës, sipas Berishës, “ishte e një rëndësie jetike, jo vetëm për PD-në, për Shqipërinë”.
Berisha tha se do ketë analizë për çdo njeri në PD, por kjo analizë do bëhet brenda partisë.
Ka gjëra që militantët, anëtarët dhe simpatizantët tanë kanë të drejtë, ka gjëra që duhet t’ua shpjegojmë, nuk i dinë, nuk kanë faj, nuk janë informuar, duhet t’i informojmë. Ka të tjerë që vraponin o analizë tani, që të bëjmë gjithçka që t’i japim material Edi Ramës për të dobësuar raportin. Ka të tjerë që prisnin që të mund të thoshin se këto ishin zgjedhjet më të mira në mënyrë që të mohojnë farsën elektorale, të mohojnë narko-diktaturën, të mohojnë diktaturën autoritare. Po këta janë skllevër, janë mjeranë, nuk e meritojnë lirinë, se këtë që bëjmë ne e bëjmë për çdo shqiptar”, tha ai.
Sa i përket takimeve të Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit, Beridha u shpreh se “asnjë takim privat nuk më impresionon. Ndërkohë do të dëgjohet çdo zë brenda forumeve. Kjo është detyra ime, ky është parimi për çdo forcë politike demokratike. Por ata që zgjedhin privaten, zgjedhin privaten, kanë bërë zgjedhjen e tyre”.
Gjithashtu, Berisha bëri të ditur se Alimehmetin e ka pritur me kërkesën e tij ndërsa Salianji nuk ka kërkuar takim.
