Pasi qëndroi pak minuta në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Sali Berisha, i rrethuar nga mbështetësit, akuzoi këtë institucion dhe drejtuesin e tij se janë kthyer në seksion të kartelit më të rrezikshëm në Europë.
“Do të shpallet seksion i kartelit më të fuqishëm të drogës në Europë, karteli i vetëm që administron portin kryesor të vendit, portin e Durrësit. Ndaj dhe në shënimin që i lashë Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani do ta quajmë Altin Troplini.”
Sërish në shënjestër vuri gjyqtaren Irena Gjoka, e cila, sipas tij, po mbrohet jo vetëm nga individë të lidhur me krimin, por në bashkëpunim me prokurorë dhe Ministrin e Drejtësisë. Këta të fundit, sipas Berishës, kanë mbuluar veprimet e paligjshme të saj.
“Prej 15 muajsh Irena, me pesë mbiemra, mbrohet nga Altin Troplini, nga Olsi Çela, edhe ky me ca probleme, dhe Ulsiu, i cili fut dokumentet në çantën Louis Vuitton, aty ku ka futur edhe 500 mijë eurot që ka kërkuar si ryshfet. KLGJ, që duhej të vepronte brenda 15 ditëve në bazë të vulës apostile që ka në dorë, përpiqet ta transferojë te prokurori i përgjithshëm, kurse ky i fundit te Ulsiu.”
Thuajse dy javë pas vendimit për kalim në gjyq, Elsa Ulliri u caktua me short si kryesuese e trupës që do të gjykojë çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe katër personave të tjerë për dyshime se janë përfshirë në korrupsion e pastrim parash në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Ndërkohë, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese.