Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një intervistë për median greke “Liberal”, deklaroi se Shqipëria nuk i plotëson kriteret për në Bashkimin Evropian.
Berisha tha se “në mënyrë absolute Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, përveç pozicionit gjeostrategjik, për të cilin unë e mbështes procesin”.
“Një vend që arreston në vitin elektoral tre liderë të opozitës, të partive kryesore, një vend që u merr mandate me gjykata kundërshtarëve politikë, se i kontrollon ato, një vend që kontrollon mediet në mënyrë të pamëshirë dhe shpall se do mbyllë rrjetet sociale, TikTok-un, një vend që ka të burgosur, ka një drejtësi politike dhe mungesë të një procesi ligjor të drejtë”, tha Berisha.
“Nuk duhet të harroni se në Shqipëri sot, 62% e të burgosurve janë në paraburgim. Se i marrin, i plasin njerëzit në paraburgim dhe nuk merret kush me ta. Ky vend, me një shkallë të lartë korrupsioni më të paimagjinueshëm. Nuk ka asnjë lidhje me kriteret që kërkohen për anëtarësimin në BE. Gjithçka tjetër jashtë gjeopolitikës, jashtë kriterit gjeostrategjik, nuk qëndron”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka shkatërruar marrëdhëniet me Greqinë me paraburgimin e Fredi Belerit.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Nikolas Tampakopoulos për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Berisha tha se ato “kanë bërë progres të ndjeshëm, por, këto vitet e fundit kanë patur edhe përkeqësime krejtësisht për shkak të qëndrimeve të qeverisë”.
Berisha mori si shembull edhe Marrëveshjen e Detit, ku theksoi se qeveria demokratike kishte “rënë dakord me qeverinë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Greqisë, që të shkonim në Hagë”, por sipas Berishës qeverisja socialiste hoqi dorë nga kjo dakordësi dhe deklaroi se do të bëjë një marrëveshje më të mirë.
“Negocioi 2-3 vjet, dhe kur erdhi problemi për të firmosur marrëveshjen, Edi Rama tha se nuk e firmos dot për arsye se ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ishte një gjë jashtëzakonisht joserioze”, tha Berisha.
Berisha tha po ashtu se “akt i pashembullt ishte marrja e mandatit nëpërmjet dëshmitarëve të rremë të Fredi Belerit”.
“Fredi Beleri, anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, fitoi mandatin, u votua nga qytetarët e Himarës. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ai ka të drejtë në qoftë se votohet, të jetë dhe president i këtij vendi. Ky është është ligji”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qeveria i mori mandatin.
“Kur u arrestua Beleri, unë deklarova publikisht që është arrestim politik dhe prapa këtij arrestimi qëndrojnë interesa mafioze”, tha Berisha.
“Pra, janë një seri aktesh të cilat, sigurisht, nuk është se nuk ndikuan në marrëdhëniet negativisht”, shtoi Berisha.