Dosja “Partizani”, Berisha: Sot nisi procesi gjyqësor politik, fund e krye një piramidë mashtrimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale pas seancës së parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar për dosjen “Partizani”, e cila u shty. Berisha thotë se procesi është “politik” dhe “fund e krye një piramidë mashtrimi”.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi. Fill pas urdhrit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij”, shkroi Berisha në rrjetet sociale.
Kryedemokrati thotë se prokuroria është bazuar në një kallëzim të rremë në vitin 2020 të ish-kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Berisha pretendon se janë hetuar deri në arkivat e para 100 viteve duke “injoruar Fletoret Zyrtare që janë online”.
Sipas tij, nuk ka asnjë fakt penal për këtë dosje dhe se dhëndrit të tij nuk i është dhënë asnjë metër katrorë toke publike. Sipas Berishës, ajo i përket familjarëve të Malltezit dhe për këtë arsye Taulant Balla ka kryer kallëzim të rremë.
“Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi, asnjë dokument që të tregojë se Berisha ka bërë ndërhyrjen më të vogël ndaj kujtdo”, thotë më tej Berisha, i cli shton se nëse shtetit i është kryer dëm ajo ka ardhur nga “shpërdorimi i detyrës nga Edi Rama”.
“Pas 5 vitesh hetimi të vetingut 30 vjeçar, kanë gjetur se Sali Berisha bashkë me të shoqen disponon gjithsej 100,000 euro kursime të 54 vite pune, dhe një apartament 40 m2 më të madh sesa ai që kanë pasur gjatë diktaturës. Dhe se ai dhe fëmijët e tij kanë zbatuar vetëm ligjin”, tha Berisha.
Në fund ai paralajmëron kryeministrin Rama.
“Por drejtësia politike nuk do mund të shpëtojë kurrë Edi Ramën nga fundi që e pret atë dhe pushtetin e tij, të ngritur mbi krimin, drogën dhe mjerimin e shqiptarëve”, shkroi Berisha në rrjetet sociale.
Seanca për gjykimin në themel të dosjes “Partizani” është shtyrë më 21 korrik, ora 10:30.
Ndryshe nga ç’ishte parashikuar, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion mori këtë vendim pasi në sallën e gjyqit munguan ish-kryeministri Sali Berisha, biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe avokatët e kompanisë Homeplan shpk.