Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka pritur në një takim në selinë blu këtë të enjte, më 17 korrik, Patrick Voller, Drejtorin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Popullore Europiane.
Gjatë këtij takimi, u diskutua gjendja politike në vend, me theks të veçantë te zgjedhjet e 11 majit dhe sfidat me të cilat përballet demokracia shqiptare.
“E informova mikun mbi farsën zgjedhore të 11 majit, në të cilën narkoregjimi, përmes një rrjeti të strukturuar patronazhistësh, teknologjisë së manipulimit dhe karteleve të drogës, jo vetëm shantazhon dhe kontrollon qytetarët, por emëron dhe ngre në pushtet individë anonimë me dhjetëra mijëra vota të fabrikuara. Shqipëria sot si narkoshtet i parë dhe i vetëm në Europe e ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë dhe institucionet në dekor të një regjimi të inkriminuar.”– shkruan Berisha.
Ai e falënderoi të ftuarin dhe drejtuesit e tjetër të PPE-së, për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin konkret në përkrahje të opozitës dhe të kauzës për zgjedhje të lira në Shqipëri: “Përshëndeta me mirënjohje angazhimin e tyre konkret për ngritjen e një ekipi të posaçëm që do të vijë në Shqipëri për të mbledhur fakte dhe për të parë nga afër realitetin e shkatërrimit të zgjedhjeve dhe të shtetit të së drejtës.”
“Ndihma e miqve tanë në EPP në rrugën tonë drejt zgjedhjeve të lira dhe shtetit të së drejtës është e një rëndësie të pazevendësueshme!”– shton ai.
Një tjetër temë bisede ishte bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe PPE-së, për shkëmbimin e eksperiencave dhe frymës më të mirë europiane, që Berisha e konsideroi jetik për procesin e reformimit dhe rinovimit të Partisë Demokratike.