Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se nisma për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale është një qasje për asgjësimin e sistemit të drejtësisë.
Në konferencën me gazetarët nga selia e Partisë Demokratike, Berisha tha se “pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi”.
“Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë. Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, pezullimi nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, por nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.
“Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin”, deklaroi Berisha.
Nga konferenca me gazetarët, Berisha u bëri thirrje autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, të hetojnë qëndrimin kërcënues, sipas tij, të Kryeministrit Edi Rama ndaj gjykatësve kushtetues.
“Të hetohen të gjitha telefonatat e tij të bëra edhe pas mesnate, kërcënimet e tmerrshme që u janë bërë gjyqtarëve që të votojnë për rrëzimin e anulimit. Janë lehtësisht të gjetshme, ndaj dhe kërkoj hetimin me urgjencë, marrjen e tabulateve të numrave të të gjithë familjes së tij”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se “Kushtetuta e Shqipërisë nuk njeh asnjë funksion të padelegueshëm”.
“Ndaj dhe jep dorëheqjen më mirë! Unë të kuptoj dhe po të ndjekim me shumë vëmendje. Po bën gjithçka… por të garantoj se asgjë në botë nuk të shpëton dot ty nga verdikti i shqiptarëve”, përfundoi Berisha.
