Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për media, nga ambientet e selisë blu, ka folur lidhur me situatën e ashpër të Thethit, ku autoritetet dëshirojnë të heqin ndërtimet e paligjshme, por që kundërshtohen nga banorët me argumentin se nuk ka beton nën shtëpizat e drurit.
Berisha shprehet se asnjë metër e atyre tokave nuk janë të “nxanun”, siç i cilëson kryeministri Rama, por janë tëtrashëguara brez pas brezi, e që mirëmbahen nga banorët e zonës që promovojnë bukuritë e Thethit dhe turizmin.
Kryedemokrati argumenton se për aq kohë sa nuk ka pasur beton në këto shtëpiza apo kontejnere që shërbejnë për turizmin, nuk quhen ndërtesa të paligjshme. Ai bie dakord se pronarët duhej të kishin nënshkruar formatin për t’i deklaruar.
“Asnjë pëllëmbë nuk është ‘tokë e xanun’, çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është tokë e trashëguar brez pas brezi. Në rast se ata vërtet në moszbatim të ligjeve, në tokë të tyre kanë vendosur kabina apo kontejnerë, sigurisht ata kanë bërë një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën, sepse ai ligj ndërtimet pa themel nuk i konsideron ndërtime pa leje. I konsideron ndërtime me vetëdeklarim”, tha ai.
Sakaq, Berisha kritikon faktin se ndërhyrjet janë bërë në pikun e sezonit veror, duke bërë që turistët e huaj, të përballen pa shtëpizat e prenotuara.
“Por cilado të ishte situata e tyre, në kulmin e sezonit turistik kanë ardhur të tjerët nga Australia, Gjermania, Izraeli, Egjipti, Franca, Italia. Kanë prenotuar pushimet dhe ky del dhe u dërgon aty banda me uniformë për t’ia çmontuar kabinat apo çfarë janë ato, dhe për të zhvilluar një betejë ku banorë dhe turistë janë bërë së bashku. Ky është një shfryrje urrejtje e një njeriu që përfaqëson një trup urrejtjeje njerëzore”, tha ai.
Berisha shton se nëse do të kishte shkelje në zonë nga banorët, qeveria duhej të priste për përfundimin e sezonit për të vepruar.
“Po në qoftë se aty janë bërë shkelje, ta zëmë, atëherë çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit. Ata kanë kontrata, ata kanë prenotime,ata kanë njoftime.
Prit të bjerë sezoni dhe vepro.
Po zgjidhet mesi i sezonit si hakmarrje atërore dhe ky është i tëri një shpirtkërmë që riprodhon të atin e tij xhelat dhe dajën e tij xhelat për kundërshtarin”, tha ai.
Ofendime pati dhe për kryeministrin nga ana e Berishës, lidhur me situatën në Theth.
“A mundet një njeri të dërgojë hordhi, falanga në Theth dhe t’ia heqë tjetrit kabinën nga oborri i shtëpisë së vet kur e ka plot me turistë dhe ka të tjerë të prenotuar. Këto i bën vetëm një shpirtkërmë që ka shpirtin e të atit xhelat Kristaq Rama, i cili firmoste varjen e kundërshtarit. Që ka shpirtin e Spiro Kolekës që kërkonte t’u futeshin tanket dhe mitralozët studentëve në dhjetor të vitit 1990. Ai mund të bëjë një akt të tillë ndaj tyre.
Ai ka një hall të madh pasi është kapur në çark për vjedhjen e zgjedhjeve, për farsën elektorale, për shkatërrimin e procesit, tani bën çdo gjë që vëmendja e shqiptarëve të shpërqendrohet nga farsa.
Por këto janë akte krimi shtetëror, këto që ndodhin… Mos harroni se ai komunitet, ai turizmin ka, nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Po të shkoni atje disa parcela toke kaq minimaliste sa nuk ka ku të shkojë.”, tha ai.
“Qëllimi i tij është hakmarrja elektorale.”, përfundon Berisha.