660ed48d cb79 4ad6 9c42 01019d6ad37a 696x464

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga selia blu se, për shkak të çështjes “Balluku”, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve të negociatave.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se vendimi i Parlamentit për të mos lejuar heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, sipas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE.

Berisha tha se “pas vendimi që mori për të mbrojtur me çdo kusht veten e tij dhe për të sakrifikuar çdo interes të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim tjetër”.

“Në raportin e tij në tetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian ka ngritur si çështje themelore për Shqipërinë rritjen e presionit politik ndaj gjyqësorit, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe problemet madhore me lirinë e mediave. Këto probleme jo vetëm që nuk morën adresim të përshtatshëm, por njohën përkeqësim. Për herë të parë, Parlamenti i Shqipërisë bllokon kërkesën e prokurorisë për arrestimin e një zëvendëskryeministreje”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se deklarata e kryeministrit Edi Rama, sipas së cilës një vendim i tillë do të merrej nga çdo parlament demokratik, është e pavërtetë.

“Sipas standardeve të shtetit ligjor, ky është një vendim me pasoja të rënda për luftën kundër korrupsionit”, tha ai.

Berisha shtoi se ky zhvillim ka ndikuar edhe në procesin e vlerësimit nga Bashkimi Europian.

“Ky vendim detyroi një numër vendesh anëtare të BE-së të bllokojnë raportin më të rëndësishëm të progresit, raportin IBAR, që vlerëson përparimin në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, në kapitujt 23 dhe 24”, u shpreh ai.

Sipas tij, pa miratimin unanim të raportit IBAR nga vendet anëtare, Shqipëria nuk mund të avancojë në mbylljen e kapitujve.

“Rama të organizojë tryeza dhe stërtryeza, asnjë kapitull nuk mbyllet pa votimin unanim, pozitiv për IBAR-in. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të brendshme dhe kur vijnë nga jashtë, janë lobime korruptive të Ramës. Shqipëria është në vendnumëro. Pa miratim unanim, nuk ka progres në procesin e integrimit”, tha Berisha.

Ai shtoi se, ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi ka marrë vlerësim pozitiv në këtë raport.

Berisha komentoi gjithashtu idenë për një anëtarësim jo të plotë në BE, duke theksuar se një koncept i tillë nuk ekziston në kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

“Në BE nuk ka anëtarë të dorës së parë dhe të dytë. Të gjitha vendet janë të barabarta në vendimmarrje dhe çdo ndryshim kërkon miratim unanim”, theksoi ai.

Sipas Berishës, çdo përpjekje për një model të tillë është e papranueshme dhe pa bazë ligjore.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights