Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët nga selia blu, ka premtuar se nëse vjen në qeverisje pas zgjedhjeve të 11 Majit, pensionistët do udhëtojnë me gjysëm çmimi në të gjithë Shqipërinë.
“Pensionistët kërkojnë jo udhëtim falas, por me gjysëm çmimi, dhe unë u premtoj atyre udhëtim me gjysmë çmimi në të gjithë Shqipërinë. Është bërë e paimagjinueshme, sot me linjat ajrore shkon më lirë Tiranë-Berlin se sa Tiranë-Vlorë me autobus apo me taksi. Pensionistët me letërnjoftimin që dëshmon moshën, do kenë bileta të përgjysmuara.”, u shpreh Berisha.
Sakaq, premtim pati dhe për aspektin e shëndetësisë, për të cilin kryedemokrati deklaroi se pensionistët do të mund të bëjnë dy herë vit analiza falas. Po kështu tha se ministria do ketë një buxhet dinjitoz për pensionistët e Shqipërisë.
“Pensionistët do kenë të drejtë të analizave bazë, falas çdo 6 muaj. Falas! Ju e dini, check-upi Rama-Nushi i përjashton pensionistët. Kushton 60 milionë euro, ndahen së bashku mes Edi Ramës dhe Vilma Nushit dhe i përjashtojnë pensionistët. Check-upi do anulohet menjëherë dhe pensionistëve do u njihet e drejta e analizave falas dy herë në vit. Pensionistët kërkojnë gjithashtu organizime kulturore në grupe, brenda vendit mundësisht, por ndonjëherë edhe në vendet përreth. Ministria do ketë të gjithë fondet dhe buxhetin për një trajtim sa më dinjitoz të pensionistëve. Pra, unë mund të them se ky ishte një takim shumë i frytshëm.”, tha Berisha.