Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi nisjen e protestave pas dokumentimit dhe verifikimit të asaj që e quan “farsë zgjedhore”.
Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pasi gjatë konferencës për shtyp ftoi shqiptarët që të përgatiten “për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti” si një ndëshkim për “farsën zgjedhore”.
“Pa asnjë mëdyshje do nisim të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë, por kjo është faza e dokumentimit, e verifikimit të të gjithë farsës elektorale që ka ndodhur me votën e shqiptarëve në Shqipëri dhe në diasporës”, tha Berisha.
Ai theksoi se objektivi i betejës së Partisë Demokratike tani e tutje do të jetë që shqiptarët të votojnë të lirë. Por a është bojkoti për demokratët një opsion në Shtator, në nisjen e legjislaturës të re?
“Çdo opsion është në tavolinë”, tha Berisha, por theksoi se “beteja në çdo front është versioni më i pëlqyer”.
Ditën e djeshme, ai bëri një deklaratë duke thënë se i ka rënë në dorë një laptop. Por i kujt është ai?
“Laptopi i përket partisë së krimit, natyrisht është vepër e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe atyre që ndërtuan një rrjet monstruoz për farsën elektorale”, tha ai.
Nga selia blu, Berisha denoncoi sot atë që e quan manipulim të votave në diasporë. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, ajo që ndodhi “është e paprecedentë”.
“Shqipëria kishte mbetur i vetmi vend në të cilin njëlloj si në ditët më të zeza të komunizmit, shqiptarëve jashtë vendit nuk u lejohej të votonin, pavarësisht se në Kushtetutë dhe dokumente zyrtare kishin të drejtën e votës dhe ishin të listuar në listat e votimit”, tha Berisha.
Kryedemokrati solli disa video për të dëshmuar sipas tij, se “si nëpërmjet mekanizmave korruptive Rama e shtetëzoi procesin e votimit dhe realizoi manipulimin më të madh”.
“Dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral të Edi Ramës, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë. Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që kësaj here me një përfaqësi prej 340 mijë vetësh zgjodhën të votojnë, është një goditje e rëndë e idealeve të lirisë së shqiptarëve, e përpjekjeve të tyre madhore për të qenë së bashku, pavarësisht se ku jetojnë, për të gëzuar të drejtat kushtetuese të vendit të origjinës. Ky manipulim është i paprecedent në historinë e votimeve të diasporës”, tha Berisha.