Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, akuzoi mazhorancën se është kthyer në mbrojtësen e grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Duke folur lidhur me opinionin e Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka ai u shpreh se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që një ministre të shpallë burrin e saj investitor strategjik. Ai akuzoi më tej mazhorancën se po poshtëron zgjedhësit duke mbajtur në sallë një person të ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
“Kjo që ndodh në këtë parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë. Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë. Por në qoftë se ju, pasi keni futur në xhep Skapin e partisë, pasi përpiqeni të injoroni tërësisht aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias.
Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej. Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen. I kërkohet mocion, Kushtetuta e detyron, ai nuk vjen. Kërkohet të vijë Vilma Nushi, bashkëshortja e kushëririt që ndan paratë me të, ajo nuk vjen. Kërkohet të ndëshkohet Ilir Beqaj për 100 milionë euro të vjedhura në sterilizim, ai nuk vjen sepse është aksionieri kryesor. Sepse ka dalë e qartë si drita e diellit se Gramoz Sako, firma e komandantit të Gardës ka ndërtuar pallatin në pajë pa asnjë faturë. Ilir Beqaj nuk ndëshkohet për vjedhjet e mëdha të fondeve në sterilizim, 83 herë ka rritur çmimin e sterilizimit, por për 120 mijë euro që ka shpenzuar në restorantin e vet, fonde të donatorëve. Vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.”, u shpreh Berisha.