Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur sot kundër zgjatjes së mandatit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se mandati aktual është i mjaftueshëm për të vlerësuar punën e tyre.
I pyetur nga gazetarët në një deklaratë për mediat, pas daljes nga SPAK ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për çështjen ‘Partizani”, Berisha u shpreh se, nëntë vite janë të mjaftueshme për të treguar integritetin dhe aftësitë profesionale.
“Kategorik kundër. 9 vite janë të mjaftueshme për të treguar të gjithë integritetin dhe aftësinë”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, prokurorët që kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin dhe pa ndikime të jashtme nuk kanë arsye të kërkojnë zgjatje të mandatit, teksa shtoi se shtyrjen e mandatit e kërkojnë ata që bashkëpunojnë me krimin.
“Ata që nuk bashkëpunojnë me krimin, ata që punojnë me vullnet të hekurt…. e di kush e kërkon atë? E kërkojnë ata që bashkëpunojnë me krimin”, tha Berisha.
Ai theksoi se, në përfundim të mandatit, çdo funksionar duhet të largohet nga detyra pasi ka përmbushur përgjegjësinë e tij institucionale.
“Erdha, shërbeva me nder dhe mirupafshim. Kjo është…”, tha Berisha.
Diskutimi për zgjatjen ose jo të mandatit të prokurorëve të SPAK mbetet pjesë e debatit politik, ndërsa qëndrimi i opozitës është kundër çdo ndryshimi të afateve aktuale.
Ndërsa, në raportimin e veprimtarisë së SPAK për vitin 2024, Altin Dumani kërkoi përsëri zgjatjen e mandatit të prokurorëve.
Kreu i SPAK tha para deputetëve se edhe nëse realizohet diçka e tillë, ai vetë nuk do të rikandidojë për të qenë prokuror i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
