Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një konferencë për shtyp ku komentoi publikimin e dosjes McGonigal nga Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një aferë që vazhdon të marrë vëmendje ndërkombëtare.
Berisha theksoi se në këtë dosje emri i kryeministrit Edi Rama, i cilësuar prej tij si kreu i “organizates kriminale të narkoshtetit shqiptar,” përmendet në mënyrë të përsëritur dhe me pasoja shumë negative. “Mediat më të mëdha botërore janë rikthyer me tituj goditës, që nxjerrin në pah lidhjet e Edi Ramës me Charles McGonigal, mikun e tij që e bëri krenar me miqësinë e tyre,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, pjesë e të cilit është publikuar, zbulon një lidhje të ngushtë mes Ramës, këshilltarit të tij Dorian Duçka dhe një konglomerati energjetik kinez, duke e përfshirë kryeministrin në një aferë korruptive dhe spiunazhi të rëndë.
Berisha theksoi gjithashtu se Rama ka përdorur McGonigal për të ndikuar në skenën politike shqiptare, duke i hequr licencën një kompanie ruse dhe ia dhënë një tjetër, duke e paguar më pas me 225 mijë dollarë për shërbime kundër opozitës.