Në një konferencë me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha tha këtë të mërkurë se Kodi i ri Penal dyfishon dhunën ligjore mbi qytetarët. Ai komentoi edhe deklaratën e bërë një ditë më parë nga kryeprokurori Olsian Çela për këtë çështje.
“Prokurori i Përgjithshëm, me kurajo, denoncoi faktin se institucioni i tij, apo ai si përfaqësues i akuzës në Shqipëri, nuk kishte asnjë dijeni për Kodin Rama-Ulsi. Pra, kur unë ju deklarova se ka dalë nga “shpellat e mafies”, sigurisht që pati njerëz që e përcollën me habi. Por u them të gjithë atyre që u habitën: tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë, as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson Kodi, që në të vërtetë shënon pothuajse dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët. Burg për parkime, për faturat e dritave, për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën e truallit tënd. Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë”.
Për Berishën, Kodi i ri Penal është një kërcënim serioz për çdo qytetar, biznes e pronë. “Është kod i narkove”, theksoi Berisha.
Kujtojmë se një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, reagoi ashpër ndaj draftit të ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si një nismë të nxituar, pa reflektim të thelluar shoqëror dhe me pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë në vend.