Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha zhvilloi sot një takim elektoral së bashku me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë,” për bashkinë Dibër, Ismail Uka.
Në fjalën e tij, Berisha ftoi qytetarët të votojnë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Kjo erë shprese, ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën, i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij, është në kohërat e numëruara të fundit të regjimit të tij despot, monist. Kjo situatë, ky dëshpërim shprehet më fushatën e tij të bazuar në banalitetin e një njeriu që nuk ia lejon kurrë vetes në publik. Shprehet me zinxhirin e pafundëm të mashtrimeve, por shprehet me largimin e tij dhe të përfaqësuesve të tij, që dalin nga bodrumi i Edi Ramës. Ata nuk ballafaqohen dot me kandidatët rivalë, nuk del këtu rivali i tij të ballafaqohet në këtë shesh, në studio televizive dhe kudo me Ismail Ukën”, tha ai.
Po ashtu, Berisha foli për hidrocentralin e Skavicës, ndërtimi i të cilit, sipas tij, mbyt Dibrën.
“Hidrocentrali i Skavicës është mbytja e Dibrës, është mbytja e pjesës më pjellore të saj, është mbytja e pjesës së saj më historike, është mbytja e të shkuarës së saj, e të sotmes dhe të ardhmes së Dibrës. Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka pasur një rrezik ekzistencial sa ka në këto zgjedhje më 14 maj. Edi Rama, në zbatim të politikave antishqiptare, dhe ju e dini se armiqtë tanë shekullorë kanë bërë gjithçka të zhdukin Dibrën, kanë dështuar gjithmonë. Jam i bindur se do dështojnë edhe këtë herë. Dibra nuk zhduket. Ajo është monumenti më madhështor që ekziston”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha foli për rrugën e Arbrit, të cilën sipas tij Rama e ka inauguruar 5 herë.
“Edi Rama e ka urrejtjen për Dibrën. Nëse do kishte respektin minimal, një rrugë që e inauguroi pesë herë, nuk përfundoi asnjëherë. Rruga e Arbrit ishte shpallur nga qeveria e mëparshme si rruga e dytë e Kombit. Dhe ajo e tillë është, e tillë do jetë. Kurse Edi Rama vazhdon prej 10 vitesh me pesë inaugurime dhe pesë mashtrime. Mund të ketë pasur prej jush që mund të kenë thënë pse e ndërpretë, u them se ajo u ndërpre sepse shpimi i tunelit në Qafë Murriz, aty ku ishte projekti, sipas kompanive më të mira në Europë, ishte i pamundur sepse do dilte ujë. Ne e ndërpremë dhe vendosëm të spostojmë tunelin në kuotën ku na këshilloi kompania e konsulencës. Ne do e kishim mbaruar tre herë atë”, tha Berisha.