Sistemi shëndetësor në Shqipëri ndodhet në një krizë të thellë, deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me ekspertë të shëndetësisë ku diskutoi mbi vizionin e PD-së për këtë sektor. Ai e cilësoi situatën si emergjente dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për dështimin e sistemit, duke e fajësuar për keqmenaxhim dhe për “krime kundër njerëzimit”.
Në këtë diskutim, Berisha premtoi se nëse PD rikthehet në pushtet, do të rrisë ndjeshëm buxhetin për shëndetësinë. Ai nënvizoi se një nga masat kryesore do të jetë rritja e pagave për mjekët dhe stafin shëndetësor, duke synuar të frenojë largimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Një tjetër pikë kyçe në programin e PD është përmirësimi i cilësisë dhe sigurisë së barnave që hyjnë në tregun shqiptar. Duke iu referuar një skandali korrupsioni të lidhur me shëndetësinë, Berisha zbuloi se plani i PD-së përfshin shkëputjen e shërbimit onkologjik nga QSUT dhe krijimin e një Instituti të Tumoreve me buxhet të pavarur, i cili do të fokusohet në trajtime më cilësore për pacientët me sëmundje onkologjike.
Në përfundim, lideri demokrat theksoi rëndësinë e reformave të thella për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin shëndetësor, duke e konsideruar këtë sektor prioritet kombëtar.